Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Francesco Paolo Figliuolo
Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Francesco Paolo Figliuolo u takua sot me ambasadorin amerikan në Serbi, Michael D. Kirby, në kampin “Film City” – Shtabin qendror të NATO-s, KFOR-it në Prishtinë.
Njoftimi i sapodërguar bën të ditur se gjatë vizitës së tij në Shtabin e KFOR-it, ambasadori Michael D. Kirby diskutoi me Gjeneralin Figliuolo shumë tema në lidhje me zhvillimet më të fundit të sigurisë dhe gjendjen socio-ekonomike në Kosovë. Kirby theksoi rolin vendimtar të KFOR-it në sigurimin në mënyrë të paanshme të një mjedisi të sigurtë në Kosovë për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Ai gjithashtu theksoi respektin e lartë që autoritetet serbe kanë për KFOR-in, duke e konsideruar atë të jetë element kryesor stabiliteti në Kosovë, duke përmirësuar kështu sigurinë e përgjithshme të rajonit të Ballkanit. Në takimin i cili u mbajt në Shtabin qendror të KFOR-it mori pjesë edhe ambasadorja e SHBA-ve në Kosovë, Tracey Ann Jacobson.
Ata gjithashtu u përqendruan në progresin pozitiv të arritur gjatë bashkëpunimit ndërmjet KFOR-it dhe aktorëve të tjerë rajonalë të sigurisë. Komandanti i KFOR-it e shfrytëzoi rastin për të shprehur mirënjohjen e tij për kontributin dhe mbështetjen e SHBA-ve, duke theksuar profesionalizmin dhe angazhimin e anëtarëve të shërbimit të SHBA-së që nga viti 1999 si pjesë e misionit të KFOR-it.
Aktualisht kontigjenti amerikan përbëhet nga rreth 700 ushtarë, me bazë në Kampin “Bondsteel”, dhe trupa të tjera amerikane janë pjesë e Stafit të Shtabit qendror të KFOR-it në kampin “Film City”.