Koment: Nga krerёt politikё nё Kosovё pritet deklarimi “habemus Governo”

Mosmarrёveshjet, qё po vazhdojnё prej muajsh mes krerёve politikё tё Kosovёs, duket se janё thjesht ҫёshtje perceptimesh dhe interpretimesh jo racionale tё kushtetutёs nga palёt: nga njёra anё PDK-ja, qё ka fituar numrin mё tё madh tё votave, por tё pamjaftueshёm pёr tё qeverisur e vetme dhe nga ana tjetёr koalicioni pas-elektoral i krijuar mes LDK-sё, AAK-sё, Nismёs dhe me tolerimin e Vetёvendosjes, kjo e fundit si forca e tretё nё parlament. I gjithё debati sillet tani rreth postit tё kreut tё kuvendit. E sikur ky tё ishte i vetmi problem i shtetit vetёm gjashtёvjeҫar tё Kosovёs i gjithё debati merr notat e njё kapriҫoje “prej adoleshenti” duke u zhvilluar nё frymё jo konstruktive dhe mosbesuese: Mosbesim ndaj kushtetutёs, mosbesim ndaj presidentes, mosbesim ndaj njeri-tjetrit dhe shpёrfillje e elektoratit. Kёshtu nuk funksionon demokracia. Lipset pra tё shohim pak nё retrospektivё se ҫ’ndodhi dhe si ndodhi mё 8 qershor 2014: Kёto zgjedhje, nё tё cilat ndonёse pjesёmarrja linte pёr tё dёshiruar, sollёn risi nё disa drejtime: Arritjet më të rëndësishme të këtij procesi ishin zhvillimi në qetësi i zgjedhjeve – një provë për demokracinë, si edhe pjesëmarrja e serbëve në votime në të gjitha rajonet e Kosovës – një hap në drejtimin e duhur. Pakica serbe e përqëndruar me shumicë në veriun e Kosovës mori pjesë për herë të parë që nga pavarësimi i saj në zgjedhjet për parlamentin e Prishtinës. Ky ishte njё hap pozitiv drejt integrimit tё kёsaj pakice nё politikёn e vendit. Zgjedhjet u vlerёsuan nga mё korrektet dhe si njё test i pjekurisё sё shoqёrisё kosovare nё rrugёn e demokratizimit dhe integrimit drejt standardeve europiane. Pra qytetaret dhe qytetarёt e Kosovёs provuan, se janё shumё hapa pёrpara nё raport me tё zgjedhurit prej tyre. Nё vend qё politikanёt drejtues, pavarёsisht numrit tё votave, tё veprojnё me pёrgjegjshmёri kundrejt sovranit dhe tё merren vesh mes tyre, ata grinden pёr njё post.

Sё dyti, vlen tё theksohet veҫanёrisht nё kёtё kontest, se vetё rezultati i votimeve ёshtё pasqyrё e programeve pa dallime esenciale mes partive politike. E pra pёrderisa kёto parti kanё ngjashmёri mes tyre, pёrderisa asnjёra syresh nuk ka fituar bindshёm pёr tё pasur shumicёn e shёndoshё qeverisёse, pёrderisa Kosova si shtet i ri ka shumё punё pёrpara, pёrderisa vendi konsiderohet ndёr mё tё varfёrit nё Europё dhe bllokimi i buxhetit pёr shkak tё ngёrҫit politik mund tё krijojё krizё financiare dhe tё ngjallё pakёnaqёsi nё popull, atёherё ҫ’kёrkojnё politikanёt e zgjedhur? Qё po kёta qytetare e qytetarё tё dalin sёrish nё votime? Mos vallё nё zgjedhje tё reja tё parakohshme qytetarёt dhe qytetaret e Kosovёs do tё kenё aleternativa tё reja pёr tё votuar? Mos vallё partitё politike do tё importojnё PROGRAME dhe politikanё tё rinj, nё mёnyrё qё t’i ofrojnё elektoratit diҫka krejt tё re dhe ekskluzive pёr zgjidhjen e problemeve? Apo tek e fundit ata duan tё demonstrojnё me kёmbёnguljen ad absurdum tё shfaqur deri tani, se secili politikan mendon pёr veten pa e vrarё mendjen pёr pёrgjegjёsinё politike? Analizimi i kёsaj situate detyrimisht rezulton me njё varg pyetjesh, pasi vet krerёt politikё nuk ofrojnё arsye tё qarta pёr bllokadёn. Nёse krerёt e partive politike tё Kosovёs do tё reflektojnё vёrtetё duke kuvenduar bashkarisht pёr tё dhёnё pёrgjigjet e munguara deri tani, me kёtё ata do tё provojnё pjekurinё e tyre. Eshtё i domosdoshёm gjykimi i kthjellёt i tyre pёr tё gjetur gjuhёn e pёrbashkёt dhe kompromisin e nevojshёm nё dobi tё qytetareve dhe qytetarёve, qё u kanё besuar atyre drejtimin e fateve tё vendit. Kёto negociata duhet tё zhvillohen absolutisht mbi baza politike dhe programore, e jo orientuar nga interesa tё ngushta individuale.

Pavarёsia e fituar duhet edhe menaxhuar

Por edhe mё imediate bёhet ҫёshtja e zgjidhjes sё ngёrҫit politik nё Kosovё nё sfondin e sfidave, qё e presin parlamentin e ri: Dialogu Prishtinё-Beograd i mbetur nё vend numёro qё pas marrёveshjes pёr për normalizimin e marrëdhënieve pёrmes planit 15-pikësh, nënshkruar para një viti. Shteti i ri – pa ushtrinë e vet dhe pa një mëvetësi të plotë në drejtësi dhe institucionet e tjera të shtetit të së drejtës – ndeshet me kufizime të mëdha. Trupat e NATO-s me KFOR-in kujdesen për sigurinë, ndërsa misioni i BE-së, EULEX-i ndihmon në ngritjen e strukturave të shtetit ligjor dhe tё sistemit gjyqësor.

Në listën e detyrave të parlamentit të ri qëndrojnë shumë lart tema jopopullore, që bartin potencial konflikti: Njëra prej tyre është themelimi i ushtrisë kosovare. Pikërisht kjo problematikë çoi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, pasi pakica serbe e lidhi miratimin e saj për ushtrinë me një kusht: Rregullorja kushtetuese, që u garanton serbëve dhjetë mandate, duhet të mbetet në fuqi edhe për legjislaturat e tjera. Ndryshime të tilla kushtetuese kërkojnë kompromise shumë të vështira.

Së fundmi por jo e fundit pёr nga rёndёsia, Kosova duhet të ballafaqohet me të shkuarën. 15 vjet pas luftës vendi ende nuk është përballur me fakte me të shkuarën. Një gjykatë e posaçme ndërkombëtare do të duhet së shpejti të zbardhë krimet e mundshme të kryera nga shqiptarët dhe përgjegjësit e tyre – përfshirë këtu edhe politikanë të njohur – do mund të nxirren para drejtësisë. Në rrugën drejt Evropës janë të domosdoshme jo vetëm katarsisi në lidhje me të shkuarën, por edhe lufta kundër korrupsionit – Kosova renditet nga Transparency International si vendi më i korruptuar i rajonit.

Konstituimi i kuvendit vetёm me kompromise dhe jo me debat ad absurdum

E pra shtrohet pyetja, mos vallё politikanёt e zgjedhur, kёta “heronj” tё pavarёsisё sё Kosovёs, siҫ konsiderohen nё popull, nuk dinё apo nuk duan ta menaxhojnё kёtё pavarёsi? Apo mos vallё ata preferojnё tani mё mirё shtyrjen e krijimit tё institucioneve nё kalendat greke, se sa pёrballjen me kёto sfida kaq tё vёshtira? Nё njё vend demokratik ёshtё detyra dhe pёrgjegjёsia e politikёs qё tё kapёrcejё vetveten dhe tё gjejё zgjidhje e kompromise nё dobi tё vendit dhe qytetareve e qytetarёve. Krerёt politikё tё Kosovёs janё tё detyruar ta gjejnё forcёn nё vetvete pёr t’i zgjidhur mes vedi mosmarrёveshjet dhe tё mos presin mё zgjidhje as nga Gjykata Kushtetuese, qё e ka thёnё fjalёn e saj, as nga presidentja, qё u ka lёnё kohё sёrish atyre tё kuvendojnё e tё reflektojnё pёr tё gjetur gjuhёn e kompromisit, e as nga deputetja mё e vjetёr e kuvendit, qё tё rithёrrasё kuvendin, nёse nё tё nuk kuvendohet e nuk parashtrohen zgjidhje. As zgjedhjet e jashtёzakonshme nuk mund tё jenё zgjidhja pёr Kosovёn. Vetёm ҫarja e kёtij ngёrҫi do t’u hapё rrugё ndryshimeve nё Kosovё. Deri tani dёmi ёshtё mjaft i madh dhe thuajse tё gjithё kanё humbur. Ҫdo zvarritje ad absurdum e thellon edhe mё shumё krizёn nё vend dhe i dёmton madje edhe mё shumё vet politikanёt. Kjo duhet rikuperuar sa mё shpejt, sepse koha nuk pret! Liderёt e Kosovёs duhet sa mё parё tё kuvendojnё, derisa sё bashku tё dalin faqebardhё para sovranit pёr t’i deklaruar: “habemus Governo”!

SHKARKO APP