Komisioni Evropian: Të rifillojë dialogu Kosovë-Serbi në zyrat e Brukselit

Komisioni Evropian ka shprehur mbështetje për rifillimin e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit në zyrat e Brukselit, pak ditë pas shtyrjes së papritur të takimit mes palëve në Uashington.

Gjatë një vizite zyrtare në selinë e BE-së, presidenti serb Aleksandër Vuçiç mundi të premten të shkëmbejë biseda për çështjet fqinjësore dhe ato të integrimit të Serbisë me shefen e ekzekutivit evropian, Ursula fon Der Lajen dhe me zyrtarë e ndërmjetësues të dialogut dypalësh.

“Dialogu me të gjitha forcat politike është kyç për avancimin e reformave që do e afrojnë Serbinë me BE-në. Dialogu me Kosovën është thelbësor,” – shkroi në Twitter zyrtarja gjermane, fon Der Lajen, mesazh i cili u përsërit edhe nga komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhei.

Takimet e Vuçiçit në Bruksel pasojnë ato të ditës së enjte të kryeministrit kosovar, Avdullah Hoti.

Pas konsultimit me Hotin, edhe presidenti i Këshillit Evropian, Sharl Mishel, nënvizoi nevojën e normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi pas gati dy viteve pezull për shkak të tarifave.

“Emërimi i fundit i ambasadorit, Mirosllav Lajçak si Përfaqësues i Posaçëm i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, ilustron fokusin e BE-së në këtë dialog, vazhdimi i të cilit është paraparë të ndodhë në muajin korrik në Bruksel,” – informoi presidenti Mishel pas takimit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po ashtu ka paralajmëruar se në javën e tretë të korrikut mund të mbahet një samit dypalësh në Francë.

Samiti do të thellonte pajtimin që palët tentuan të arrinin më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, por aktakuza për krime lufte në kohën e UÇK-së të ngritura nga Prokuroria Speciale në Hagë kundër presidentit Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, shtynë Prishtinën ta anulojë mbledhjen.

Nga Brukseli, kreu i shtetit serb e komentoi për herë të parë situatën.

“E dimë që kanë ndodhur krime të tmerrshme. Në çdo gjë tjetër, duhet të tregohemi të përmbajtur, pasi kështu mbrojmë popullin serb në Kosovë nga çdo rast dhune, incidenti dhe sulmi,” – u shpreh Vuçiç.

Më herët gjatë ditës, kreu i shtetit postoi sërish në rrjetet sociale stemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me mbishkrimin “askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës”.

Me të mbërritur të premten në aeroportin e Tiranës pas udhëtimit të ndërprerë drejt Uashingtonit, Thaçi njoftoi se të dielën mbrëma do të japë gjykimin e tij për aktakuzën.

SHKARKO APP