Komisionierit të BE-së i “vendoset vizë” nga qytetarët për të hyrë në Kosovë

Gjatë ditës së sotme në Kosovë pritet të mbërrijë Komisioneri i Bashkimit Europian, Johannes Hahn, i cili do të kërkojë rishikimin e taksës 100% për importin e produkteve serbe, taksë që u vendos nga kryeministri Haradinaj para pak ditësh.

Mirëpo, vizita e Hahn për një çështje të tillë nuk është mirëpritur, në një kohë kur Kosova është i vetmi shtet, qytetarët e të cilit nuk lëvizin të lirë nëpër Europë.

Në shenjë proteste, një grup protestuesish të udhëhequr nga ish-asamblisti i Komunës së Drenasit, Xhavit Drenori, kanë vendosur një banderolë të madhe në formë vize për Johannes Hahn para zyrave të qeverisë.

Xhavit Drenori është shprehur:

Kemi ardhur sot për të shprehu indinjatën dhe pakënaqësinë e thellë për qasjen e BE ndaj qytetarëve të Kosovës. Kjo qasja është e papranueshme, pasi ne nuk e pranojmë që vetëm ne të jemi të izoluar. Deshëm t’ia bëjmë me dije komisionarit Hahn se ne mund t’iu bëjmë reciprocitet edhe për viza, jo vetëm për taksë për produktet.

Nëse Kosova ka dështuar si shtet, atëherë një pjesë të fajit e kanë edhe BE-ja pasi ishin të përfshirë në të gjitha proceset.”

Për të lëvizur në shtetet e tjera të BE-së, qytetarëve të Kosovës u duhen 35 euro për aplikimin dhe 45 dokumenta të nxjerra nëpër zyra të ndryshme, ky ishte pak a shumë mesazhi i hapur sot në hyrje të zyrave qeveritare ku Hahn do të mbajë takimin.

SHKARKO APP