Konflikt Thaçi-Haradinaj/Haradinaj krijon ushtrinë e Kosovës, Thaçi kundër

Kryeministri kosovar fillon krijimin e ushtrisë së Kosovës me ligj, ndërsa presidenti Thaçi deklaron se “nuk është koha”.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot në konferencën për media është pyetur edhe rreth transformimit të FSK-së në ushtri të Kosovës. Ai ka thënë se nuk është i informuar dhe nuk beson se janë të informuar as partnerët tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja për këtë veprim të Qeverisë.

Thaçi kishte dështuar vitin e kaluar me një iniciativë personale duke e sponsoruar nga zyra e tij ligjin për krijimin e ushtrisë.

Ai ka thënë se vetëm në vitin 2014 ka pasur mundësi të krijohet ushtria.

“Tani rrethanat janë ndryshe. Ne kemi filluar tash e një kohë, pas iniciativës sime, bashkë me bashkësinë ndërkombëtare një proces të vetëdijesimit dhe kemi arritur në një fazë shumë të rëndësishme të koordinimit. Sepse, kur themelohen Forcat e Armatosura të Kosovës, duhet të jenë të mirëpritura, një proces i hapur, i sigurt për partneritetin për paqe dhe NATO-n, dhe jo ndonjë veprim kokë në veti, i cili lëndon rëndë misionin shumetnik të Forcave të Armatosura të Kosovës. Kështu që, një veprim i njëanshëm e çon në izolim. Një veprim i koordinuar i hapë rrugë të sigurt zhvillimit, forcimit, lëvizjes kah partneriteti për paqe dhe pastaj edhe në NATO”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri Haradinaj ka befasuar sot duke aprovuar tre projektligje në Qeverinë e Kosovës për shndërrimin e FSK-së në ushtri të Kosovës. Një iniciativë të ngjashme, ku FSK-ja shndërrohet në ushtri pa ndryshime kushtetuese, pra pa votën e serbëve dhe pa bekimin ndërkombëtar, e kishte provuar edhe Presidenti Hashim Thaçi, por kishte dështuar.

Por, Haradinaj ka thënë se kanë ndodhur konsultime me partnerët duke theksuar se megjithatë disa vendime janë të Kosovës dhe se tani ka ardhur koha për to.

Haradinaj ka thënë se tani i takon Parlamentit të Kosovës që të japë votën për kalimin e ligjit pasi vendi ka pritur më shumë se 20 vjet. Por duket që me këtë veprim nuk po pajtohet presidenti Thaçi. Ai është pyetur nëse është në dijeni se koalicioni qeveritar dëshiron të dërgojë në Kuvend Projektligjin për Transformimin e FSK-së. Ai ka thënë se nuk është në dijeni për këtë por ka theksuar se propozimi i tij i para një viti dallon nga rrethanat aktuale. “Kur unë e kam propozuar ka qenë kohë kur e kemi pasë përkrahjen e SHBA-së dhe NATO-s. Tash rrethanat janë ndryshe”, tha Thaçi.

 

SHKARKO APP