Konsensus kombëtar në Kosovë?!

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka ftuar krerët e partive politike në një takim ditën e martë me qëllim arritjen e një konsensusi kombëtar, për çështje me rëndësi të veçantë siç janë dialogu me Serbinë, themelimi i asosacionit, axhenda e integrimit europian, formimi i ushtrisë së Kosovës dhe reforma zgjedhore.

Veseli në fjalën e tij ka argumentuar se është mjaft e rëndësishme të ketë një dakordësi të gjithanshme për këto çështje, me qëllim avancimin në proceset për konsolidimin e pavarësisë.

Kjo iniciativë ka gjetur përkrahjen e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe atë të Kryeministrit, Ramush Haradinaj, ndërsa me interes të madh mbetet të shihet nëse do të ketë pjesëmarrje nga përfaqësuesit e të gjitha forcave politike.

Lidhje Demokratike e Kosovës si parti opozitare ka shprehur gadishmërinë për t’u ulur në tryezën e bisedimeve, duke nënvizuar se do të ketë kontribut për të gjetur një linjë të përbashket në interes të vendit dhe të qytetarëve.

Ndërkaq, disi me skeptike duket situata në Lëvizjen Vetëvendosje e cila ka refuzuar vazhdimisht të bëhet pjesë e tryezave të tilla.

Maxhoranca nga ana tjetër ka shprehur edhe njëherë ftesën për dialog me argumentin se duhet të mendohet në një spektër më të gjerë se politika ditore pasi flitet për fatet e vendit.

SHKARKO APP