Koronavirusi përhapet frikshëm në Prishtinë, rreth 100 persona do të testohen sot, mes tyre edhe 20 fëmijë
110 banorë të komunës së Prishtinës janë konfirmuar deri më tani me virusin COVID-19. Nga ta janë shëruar 73 dhe kanë vdekur 2 persona, derisa 35 janë ende duke u përballur me koronavirusin. Sot do të testohen rreth 100 persona, raporton Gazeta Express.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, tha për Express se në mesin e personave që do të testohen janë edhe 20 fëmijë të çerdheve të Prishtinës dhe 9 punonjës të çerdheve.
“Sot do të testohen rreth 100 persona. Në mesin e tyre janë edhe 20 fëmijë të çerdheve dhe 9 punonjës”, ka deklaruar Gashi.
Ai shtoi se po priten rezultatet e testimeve të dyta për personat që mund të jenë shëruar nga koronavirusi.
“Po presim që të ritestohen edhe disa persona të cilët në testimet e para kanë dalë negativë, tani i kanë të dytat, për të parë nëse janë shëruar nga COVID-19”, deklaroi Gashi.
Gashi bëri të ditur se sot pritet të dalin rezultatet e testimit të edukatores së çerdhes “Xixëllonjat” në Prishtinë, e cila e kishte burrin e infektuar me koronavirus.
Deri më tani në Prishtinë janë shënuar 110 raste pozitive me koronavirus, 2 nga ta kanë vdekur, ndërsa momentalisht janë 35 raste aktive.
Ndërkohë, nga data 8 shkurt deri më 8 qershor në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës me metodën RT-PCR janë testuar 16 mijë e 906 persona të dyshimtë për virusin SARS-Cov-2.
Prej tyre kanë rezultuar pozitivë 1 mijë e 263 persona, nga të cilët tashmë janë shëruar 912 dhe kanë vdekur 31.