Korrigjim kufijsh? Analistët: Trump e di që është ide e rrezikshme, do të çonte në luftë
Teza e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, si mënyrë për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes 2 vendeve, u diskutua fillimisht në vitin2018 nga dy presidentët, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç. Teksa dukej e arkivuar një herë e përgjithmonë, ideja po përmendet sërish pas fitores së Donald Trumpit në zgjedhjet amerikane.
Deputetja e komisionit të Jashtëm nga AAK-ja, Time Kadrija vlerëson se Kosova është e njohur nga rreth 120 shtete në tërësinë e saj territoriale dhe se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i prishin ekuilibrat me propozime si ai i shkëmbimit të territoreve.
Ndërsa politologia Magbule Shkodra thotë se administrata e Trumpit në asnjë mënyrë nuk do të mbështesë idenë, pasi çdo përpjekje për lëvizje të kufijve në Ballkan mund të çojë në konflikt. Shkodra vlerëson si shumë të rëndësishme, që administrata e re të garantojë se çdo marrëveshje e mundshme mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të jetë në linja etnike.