Kosova alarmon SHBA, ambasadori Delawie: Shfuqizimi i Speciales, thikë pas shpine

43 deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë kërkuar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për të shfuqizimin e Gjykatës Speciale, gjë që ka alarmuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e BE-së, në veçanti Britaninë e Madhe.

Mbrëmjen e sotme është mbledhur edhe Kryesia e Kuvendit, si dhe shefat e grupeve parlamentare. Por, për shkak të mungesës së disa subjekteve nuk është bërë i mundur kuorumi e rrjedhimisht as nuk është marrë ndonjë vendim.

Ndërkohë, ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie ka reaguar teksa ka qenë i pranishëm në Kuvendin e Kosovës, në kundërshtim të kësaj nisme apo përpjekjeje për të zhbërë ligjin për Gjykatën Speciale.

“Dua ta bëj shumë të qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundërshtojnë çdo përpjekje për ta zhbërë ose ndryshuar ligjin për Gjykatën Speciale”, ka thënë ai, i befasuar nga kjo nismë pa asnjë debat publik më parë.

“Kjo është e turpshme, – ka shtuar ai. – Nëse kjo nismë do të ketë sukses, atëherë do të ketë edhe implikime jashtëzakonisht negative për të ardhmen e Kosovës, si pjesë e Europës. Do të konsiderohet nga SHBA si thikë pas shpine. Kosova do të zgjedhë izolimin në vend të bashkëpunimit. E urrej ta them, por do të kthehet ora prapa për Kosovën”.

Edhe ambasadori britanik në Kosovë ka folur për këtë nismë të udhëheqësve kosovarë për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale.

Nga Kuvendi i Kosovës, Ruairi O’Connell tha se kjo mund të ishte nata më e rrezikshme për Kosovën, që prej luftës. Ai shtoi se bashkësia ndërkombëtare ka investuar shumë dhe se, nëse ndalimi i Speciales ndodh, askush në botë nuk do të besojë që Kosova është e interesuar për sundim të ligjit. Diplomati britanik u ka bërë thirrje deputetëve që të mendojnë logjikisht dhe të mos votojnë kundër Speciales.

SHKARKO APP