Kosova arreston dy hakerë të akuzuar nga SHBA-ja

Departamenti i Drejtësisë i ShBA-së ka publikuar listën me emrat e 36 personave të cilët janë akuzuar për mashtrim kibernetik dhe vjedhje.

Në mesin e tyre gjenden edhe emrat e dy kosovarëve, Liridon Musliu dhe Besart Hoxha, raportojnë mediat në Kosovë.

36 të pandehurit akuzohen për rolet e supozuara në organizatën kriminale transnacionale përgjegjëse për më shumë se 530 milionë dollarë humbje nga krimet kibernetike, përcjell albinfo.ch.

Ndërkohë, Policia e Kosovës është vënë menjëherë në aksion, duke kontrolluar dy zona të ndryshme, dhe duke konfiskuar dy makina, kompjuterë Laptop, shtëpiza kompjuteri, telefona celular, USB, foto aparat si dhe dokumente të ndryshme. Policia ka arrestuar dy persona, që janë edhe të akuzuar nga Amerika.

Aktakuza e ngritur nga prokurorët amerikanë liston 117 vepra të kriminalitetit kibernetik nga anëtarët e këtij grupi të hakerëve, e që përfshin keqpërdorime me karta të kreditit dhe shitje të informacioneve të vjedhura në internet.

Për këtë operacion, Departamenti i Drejtësisë së ShBA-së ka bashkëpunuar me Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë e Shtetit në Kosovë.

Gjatë historisë së saj shtatëvjeçare, organizata ‘Infraud’ thuhet se ka shkaktuar rreth 2.2 miliardë dollarë humbje të planifikuara dhe më shumë se 530 milionë dollarë humbje aktuale, në një numër të gjerë të institucioneve financiare, tregtarëve dhe individëve privatë.

SHKARKO APP