Kosova arrin reciprocitetin me Serbinë për targat e makinave

Sot në Bruksel, pas rreth 9 orë bisedimesh intensive me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian është arritur marrëveshja për reciprocitet të plotë për targat e veturave në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe heqjen nga përdorimi të tabelave ‘prova” të cilat njëanshëm zbatoheshin nga pala Serbe që nga viti 2011.

Me këtë rast, ministrja për Dialog, Edita Tahiri ka deklaruar se arritja e marrëveshjes për reciprocitet në tabelat e veturave në mes të dyja shteteve, Kosovës dhe Serbisë është një arritur e rëndësishme sepse me këtë marrëveshje nuk do të ketë më përdorim të tabelave prova, të cilat njëanshëm pala serbe i ka aplikuar ndaj veturave të Kosovës.

Kjo marrëveshje do të kontribuojë për lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe automjeteve dhe se me këtë rast të dyja shtetet dëshmuan se reciprociteti është parimi kryesor për marrëveshjet e dialogut të Brukselit dhe për zhvillimin e marrëdhenieve bilaterale.

Ajo theksoi se pas shumë muajsh të këmbëngulësisë së palës  së Kosovës që të vendoset reciprociteti i cili buron nga marrëveshja dhe plani për zbatim i lëvizjes së lirë të vitit 2011, më në fund u arrit ky sukses.

Zbatimi i kësaj marrëveshje do të fillojë menjëherë sapo të dy shtetet të bëjnë përgaditjet teknike që lidhen me këtë çështje, ndërsa modeli që do të aplikohet bazohet në modelin e aplikuar në mes të Greqisë dhe Maqedonisë, dallimi është që letërtngjitëset aplikohen për tabelat e veturave të të dyja shteteve.

Ky avancim i marrëveshjes për lirinë e lëvizjes i arritur në vitin 2011 do të lehtësoj më shumë qarkullimin e qytetarëve të të dy shteteve dhe do të minimizoj pritjet në pikat kufitare ngase nuk do të kërkohet më që të ndërrohen tabelat RKS me ato provuese.

Poashtu në këtë takim është diskutuar për planin e heqjes nga qarkullimi të tabelave të mbetura ilegale që qarkullojnë aty-këtu në veri të vendit.

Delegacioni i Kosovës në këtë takim njoftoi se po bëhën përgaditjet e fundit për hapjen e zyrave të Agjencisë së Regjistrimit Civil në katër komunat veriore si dhe të zyrave të gjendjes civile në këto komuna, proces ky që pritet të përmbyllet shpejtë dhe në këto komuna të fillojë pajisja e gjithë qytetarëve me pasaporta, letërnjoftime dhe certifikata të gjendjes civile dhe të dokumenteve tjera të shtetit të Kosovës.

Takimi i radhës i grupit punes për lirinë e lëvizjes pritet të mbahet në fillim të javës së ardhshme ku do të diskutohen detajet tjera teknike për zbatimin e plotë të marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes dhe Planit për Zbatim të vitit 2011 si dhe konkluzioneve të arritura sot që avancojnë tutje këtë marrëveshje dhe qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe automjeteve.

Delegacioni i udhëheqëur nga Ministrja Edita Tahiri kishte në përbërje  edhe këshilltarin e saj kryesor politik dhe koordinatorin e çështjes Dren Zeka, Drejtorin e Zyrës për Planifikim Strategjik, Qemajl Marmullakaj, Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Driton Gashi, Këshilltarja Politike Elona Cecelia dhe Haxhi Bajraktari nga Ambasada e Kosovës në Belgjikë.

SHKARKO APP