Kosova ashpërson masat: Certifikatë vaksinimi për të shkuar në dasma
”Certifikatë vaksinimi për të shkuar në dasma”, është një nga vendimet e marra nga qeveria e Kosovës. Vendimi i ashpërsimit të masave anti-covid, vjen në një kohë që 24 orët e fundit u regjistruan mbi 1000 raste të reja.
Masat të cilat do të jenë në fuqi nga 20 gushti deri më 10 shtator theksojnë vendosjen e detyrueshme te maskës në çdo ambient të brendshëm, ndërsa do të hyjnë në fuqi edhe certifikatat e vaksinimit për të aksesuar klubet e natës, dhe evenimentet që i kalojnë mbi 100 persona.
Po ashtu të gjithë qytetarët e huaj që hyjnë në Kosovë, përfshirë edhe ata me leje qëndrim të përkohshëm ose të përhershëm dhe që vijnë nga vendet me rrezik të lartë duhet të kenë test PCR negativ për Covid-19 të bërë në 72 orët e fundit, përjashtim bëjnë vetëm ata të cilët do të qëndrojnë 3-5 orë në Kosovë, si kalim tranzit.
Një masë tjetër është edhe sigurimi i distancës në të paktën 1 metër në restorante dhe kafene dhe funksionimi i tyre në 50 përqind në ambiente e brendshme, ndërsa në ato jashtë në 70 përqind.