Kosova blen gjak të kushtueshëm në Serbi

Kosova blen gjak në Serbi që rezulton të jetë tepër i shtrenjtë krahasuar me vendet e tjera. Vetëm në dy vitet e fundit është importuar gjak në vlerë mbi 100 mijë euro.

Nevoja për të shpëtuar jetët po i detyron kosovarët që të kërkojnë ndihmë edhe nga shteti prej të cilit Kosova u nda me luftë. Sipas statistikave që ka siguruar Gazeta Express nga Dogana, Kosova merr gjak edhe nga Serbia, duke përfshirë kështu gjak njerëzor e të kafshëve.

Madje, me kalimin e viteve sasia e gjakut të importuar nga Serbia po rritet. Gjatë këtij viti, për gjak që vjen nga Serbia janë paguar mbi 60 mijë euro. Ky lloj gjaku, sipas Doganës, përgatitet për “përdorime terapike, profilaktike apo diagnostikuese; antisera dhe Fraksione të tjera të Gjakut dhe produktet e modifikuara imunologjike”.

Por, ndonëse merr gjak prej shteteve të tjera, Kosova nuk është shumë e varur nga gjaku që vjen prej vendeve të huaja. Gjithë kjo pasi dhuruesit vullnetar të gjakut mbulojnë deri në 80 për qind të nevojave të pacientëve.

SHKARKO APP