Kosova dënon me burg propagandistin e ISIS në Facebook
Një gjykatë në Kosovë ka dënuar një shtetas me shtatë muaj burg për propagandë online në emër të Shtetit Islamik, ISIS.
Një gjykatë në Kosovë ka dënuar me shtatë muaj burg një propagandist të ISIS për përfshirje në propagandë për ISIS në profilin e tij në Facebook. Gjykata tha se Samet Imishti nga qyteti i Hanit të Elezit u gjobit gjithashtu me 800 euro.
Imishti është i pari qytetar i Kosovës i dënuar për angazhimin në propagandën në internet, në emër të organizatave terroriste.
Ai është gjithashtu i pari kosovar që gjykohet dhe shpallet fajtor në bazë të një ligji të ri të miratuar në vitin 2015, që e bën krim pjesëmarrjen në luftërat jashtë vendit, përfshirë edhe propagandën për terroristët.
Hani i Elezit është rajoni përgjegjës për numrin më të lartë të të dyshuarve për terrorizëm në Kosovë – së paku shtatë persona – në bazë të aktakuzave të prokurorisë që BIRN i ka parë.
“Imishti ka inkurajuar individë ose grupe njerëzish që t’i bashkohen formacioneve të armatosura të organizatës terroriste ISIS, ” tha gjykata.
Sipas gjykatës, në postimet dhe komentet në Facebook nga maji deri në nëntor 2015, kur ai u arrestua, ai lavdëroi luftëtarët e ISIS dhe u bëri thirrje myslimanëve të Kosovës që të bashkohen në një xhihad.
Gjykata thotë se Imishti kishte postuar disa thirrje për veprim, duke shkruar: “Të gjithë myslimanët e vërtetë janë ISIS”, “Unë jam ISIS”, “ISIS do çlirimin e Kosovës”, “ISIS do t’ju mirpresë me lule” dhe “Inshallah ata fillojnë me Kosovën a.s.a.p”.
Rreth 100 persona janë arrestuar në Kosovë që nga shtatori i 2014 me akuzën e anëtarësisë aktive ose pjesëmarrjes në grupet islamike si ISIS dhe Al-Nusra.
Më shumë se 50 janë aktualisht në gjyq. Vlerësimet e fundit thonë se rreth 300 shqiptarë të Kosovës janë bashkuar me ISIS dhe Al-Nusran./ Labinot Leposhtica/ BIRN