Kosova dërgon kontingjentin e parë të FSK-së në mision paqeruajtës

Ushtria e Kosovës do të dërgojë për herë të parë një kontingjent paqeruajtësish jashtë vendit.

Ceremonia për nisjen e misionit gjashtëmujor në Kuvajt filloi të martën me bekimin tradicional.

“O Zot, ndihmona të bëjmë Ushtrinë e Kosovës të ditur e të guximshme, mundësona që aty ku shkel këmba e ushtarit tonë të jetë vend i sigurt dhe i qetë. Të lutem o i madhi Zot, forcona vullnetin tonë, harmoninë fetare dhe kombëtare. O Zot, madhëro paqe për ne, për familjet tona, dhe paqe për gjithë botën e mbarë”.

Me këtë rast, ushtarëve të mbledhur në kazermën “Adem Jashari” iu drejtua presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, komandantja supreme e Kosovës.

“Siç e kemi dëshmuar edhe më parë, ne nuk dimë të zmbrapsemi, ushtarët tanë do të jenë kudo dhe kurdo që rrezikohen interesat tona e vlerat të cilat besojmë por edhe ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve tanë të tjerë. Pra, që të jemi të qartë, kushdo që kërcënon Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tanë të tjerë ka kërcënuar edhe Republikën e Kosovës. Pra në Kosovë, Amerika e aleatët e tjerë gjithnjë do të gjejnë aleatin e tyre më besnik. Të dashur ushtarakë, ju po niseni drejt një sakrifice të re e cila nuk do të jetë vetëm e juaja por edhe familjeve tuaja dhe e gjithë shtetit”, tha Osmani.

Osmani tha se misioni paqeruajtës në Kuvajt do të testojë kapacitetet e vendit për të pasur një ushtri plotësisht operacionale.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama tha se misioni do të vërë në jetë qëllimin për të cilin u sakrifikuan shumë gjenerata.

“Detyra jonë, shërbimi ndaj vendit, kërkon një sakrificë të madhe, unë e di që është shumë e vështirë të jeni larg familjeve tuaja për një kohë të gjatë, por liria nuk është falas, ajo paguhet me sakrificën e ushtarëve dhe familjeve të tyre. Për shkak të shërbimit tuaj dhe ushtarëve të tjerë ne jetojmë në një botë më të mirë dhe më të sigurt.”

Një porosi për ushtarakët pati edhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni, ish-komandant i UÇK-së.

“Siç e kemi traditën tonë të kultivuar ndër shekuj, respektoni dhe vlerësoni që të gjithë, ata janë krenarë me identitetin e tyre ashtu siç jemi edhe ne me identitetin tonë, sepse kjo është madhështia e paqes universale dhe respektit të ndërsjellë. Të dashur ushtarë, ju presim të ktheheni me një histori suksesi duke rritur rolin e Kosovës si një partner të besueshëm dhe faktor stabiliteti për paqen dhe sigurinë rajonale dhe botërore”, tha Quni.

Ushtarëve iu drejtua edhe gjenerali amerikan i Gardës së Ajoës, i cili tha se misioni i përbashkët i ShBA-së dhe Kosovës përgjatë 6 muajve të ardhshëm do të jet paqja në Kuvajt e në botë.

SHKARKO APP