Kosova dhe Malta, marrëveshje bashkëpunimi

Prishtinë, 2 shkurt 2016 – Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot për një takim bilateral ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Maltës, George William Vella, i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës.

Malta do të marrë për herë të parë kryesimin e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian më 1 janar 2017. Zëvendëskryeministri Thaçi dhe ministri Vella nënshkruan një marrëveshje kornizë për bashkëpunim ndërshtetëror, për dy vitet e ardhshme. Kjo marrëveshje parasheh dinamizimin e marrëdhënieve bilaterale në të gjitha fushat me interes për të dyja palët si dhe një bashkërendim më të madh gjatë Presidencës së BE-së nga ana e shtetit maltez.

Dy shtetet zotohen të mbajnë konsulta të rregullta politike si dhe të ndihmojnë njëra-tjetrën me informacione për sa i përket zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, ndërsa institucionet relevante do të inkurajohen për të rritur bashkëpunimin ndërshtetëror Kosovë-Maltë.

Gjatë konferencës së përbashkët për medie, zëvendëskryeministri Thaçi është shprehur se shteti i Kosovës po vazhdon të konsolidohet. “Kosova po shënon suksese në rrugëtimin e saj evropian, posaçërisht pas hyrjes në marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian, ndërsa tani po e presim rekomandimin për liberalizimin e vizave”, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka falëndëruar shtetin maltez për njohjen e hershme të Republikës së Kosovës dhe për përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën në arenën ndërkombëtare. Ai tha se Malta shërben si shembull se si edhe shtetet gjeografikisht të vogla mund të jenë të suksesshme në familjen e shteteve të mëdha të BE-së dhe, njëherësh, e mbështeti idenë që të zgjerohet bashkëpunimi edhe në fushat e ekonomisë, sigurisë, arsimit dhe kulturës.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Maltës, Vella tha se duhet kërkuar mënyra për të thelluar bashkëpunimin mes dy vendeve, duke shtuar se bëhet fjalë për dy ekonomi të vogla por me mundësi për bashkëpunim. Vella tha se është e rëndësishme që Kosova po ecën përpara me hapa të sigurtë.

Marrëdhëniet aktuale mes dy vendeve janë të shkëlqyera. Republika e Maltës ka qenë vazhdimisht përkrahëse e agjendës evropiane dhe multilaterale të Republikës së Kosovës, si dhe i ka dhënë mbështetje shtetit kosovar në të gjitha proceset e tjera.

Kjo kornizë e bashkëpunimit vjen edhe si rezultatet i një bashkëpunimi të nisur që nga viti 2013, kur ishte nënshkruar Memorandumi i Bashkëpunimit mes dy ministrive gjegjëse.

Ministri maltez Vella do të jetë folës kryesor në njërin prej paneleve të konferencës vjetore “Germia Hill”, punimet e së cilës do të nisim sot, të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, së bashku me institutin me renome botërore, Aspen Institute.

SHKARKO APP