Kosova dhe Shqipëria shkëmbejnë përvojat në fushën e mjedisit dhe planifikimit
Në kuadër të takimit të zhvilluar më datë 20 Shkurt 2015 mes dy ministrave respektivë, të Ministrisë së Zhvillimit Urban në Shqipëri, dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në Kosovë, si dhe Memorandumit të bashkëpunimit, të nënshkruar në prill 2014, në Prishtinë është organizuar një takim, mes grupeve teknike të dy ministrive për të forcuar më tëj bashkëpunimin e deritanishëm, si dhe për të hartuar një kalendar të përbashkët pune.
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimi Hapësinor, Ferid Agani, me këtë rast ka përshëndetur këtë takim pune, duke thënë se punëtoritë e përbashkëta të zhvilluara deri më tani, kanë ndihmuar në shkëmbimin dhe formësimin e eksperiencave, konsultimin e problematikave të ndeshura, si dhe njohjen e detajuar të punës aktuale planifikuese, të ndërmarra në të dy vendet.
“Sfida që paraqet planifikimi hapësinor, për të dy ministritë respektive, jo vetëm në kuadër të kontrollit dhe zhvillimit të territorit, por sidomos në aspektin e zhvillimit ekonomik, social dhe mbrojtjes së mjedisit, kërkon vëmendje maksimale, interes të vazhdueshëm dhe bashkëpunim mes të dy vendeve, pasi të tilla sfida, janë të përbashkëta dhe nuk kanë kufij administrativë”, ka pohuar Agani.AGANI1
Në Prill të vitit 2014, ndërmjet dy Ministrive u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit në të cilin janë përcaktuar qartazi fushat e bashkëpunimit dhe aktivitetet konkrete që do të zhvillohen ndërmjet dy vendeve.
Për vitin 2015 bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve do të fokusohet në tre fusha kryesore, atë të planifikimit të territorit, strehimit dhe standardeve të ndërtimit duke u konkretizuar me krijimin e një grupi pune të përbashkët dhe një kalendari pune.