Kosova do të lobojë në Austri për liberalizimin e vizave

Kryetari i Parlamentit të Kosovës dhe një delegacion prej 30 zyrtarësh do të udhëtojnë drejt Austrisë për të lobuar për një marrëveshje të shumëpritur për liberalizimin e vizave me Bashkimin Europian.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i shoqëruar nga një delegacion përfaqësuesish të partive politike, do të vizitojë të enjten kryeqytetin austriak, Vjenë, për të lobuar për një marrëveshje me BE-në për liberalizimin e vizave.

“Kryetari i Kuvendit Veseli dhe homologu i tij austriak do të diskutojnë bashkëpunimin ndërshtetëror dhe procesin e integrimit europian të Kosovës, veçanërisht procesin e liberalizimit të vizave,” thuhej në një deklaratë të lëshuar nga zyra e Veselit.

Por kreu i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK, Avdullah Hoti tha se partia e tij nuk do t’i bashkohet “turit të lobimit”, sepse beson se udhëtime të tilla nuk mund të sigurojnë liberalizimin e vizave.

“Udhëtime të tilla janë shpenzime të panevojshme të parave publike dhe i përcjellin mesazhe të paqarta vendeve të BE-së,” shkroi Hoti në Facebook të enjten.

Gazeta kosovare Zëri raportoi se lista e zyrtarëve që do të udhëtojnë në Vjenë ka 30 emra, përfshirë Ministrin e Diasporës Dardan Gashi dhe Ministrin e Financave Bedri Hamza me ekipet e tyre.

Arton Demhasaj nga OJQ-ja Çohu tha për gazetën Zëri se dërgimi i një delegacioni kaq të madh për të lobuar për viza është i pakuptimtë.

“Kjo është vetëm një kosto financiare e mbuluar nga taksat tona. Buxheti po keqpërdoret për vizita të tilla dhe njerëzit udhëtojnë vetëm për dieta. Nuk ka asnjë justifikim tjetër për një delegacion prej 30 personash që do të lobojë për viza,” citoi gazeta të ketë thënë Demhasaj.

Ai shtoi se Kosova ka ambasadorë që paguhen për të luajtur rolin e lobistëve në situata të tilla.

Por zyra e kryetarit të parlamentit tha për BIRN se 30 zyrtarët po udhëtojnë në Vjenë, sepse një ditë më pas mbahet një forum ekonomik, në të cilën ata janë të ftuar.

“Një ditë më pas, delegacioni parlamentar do të marrë pjesë në hapjen e një forumi ekonomik të organizuar nga Dhoma Ekonomike Austriake dhe Ambasada e Kosovës në Vjenë, ku zyrtarë të tjerë qeveritarë janë të ftuar,” tha zyra e Veselit.

Pasi ratifikimi i fundit i marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi përmbushi një kërkesë kryesore të BE-së, pengesa e fundit midis qytetarëve të Kosovës dhe udhëtimit pa viza në vendet e BE-së besohet të jenë të dhënat e dobëta të vendit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. BIRN

SHKARKO APP