Kosova do të vijojë ndihmat për familjet e dëmtuara

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, theksoi se “Kosova do të vazhdojë mbështetjen për banorët e zonave të përmbytura në Shqipëri”.

I pranishëm gjatë takimit të organizuar nga Kryeministri Edi Rama me përfaqësues të biznesit, komuniteteve fetare, etj, Shahini tha se “Dhoma Kombëtare e Tregtisë në Kosovë u mobilizua brenda pak orëve duke  grumbulluar një sasi të madhe të mallrave.

"Falënderoj ato biznese që kanë mbledhur ndihma, të cilar sot janë rrugës duke ardhur nga Kosova, janë 15 kamiona me 330 ton mall të ndryshëm me vlerë rreth 200 mijë euro”, tha ai.

“Sot është nisur karvani i parë me ndihma dhe do të vazhdojmë edhe më tutje. Në takimin e djeshëm me ambasadortin shqiptar në Kosovë, Qemal Minxhoz, i kemi bërë ftesa që kjo ndihmë të vazhdojë e të mos ndalohet, pasi nuk e dimë si do të jenë kushtet e motit “, tha Shahini, duke shtuar se e di që bizneset shqiptare do t’i përgjigjen kësaj ftese.

Shqipëria, vijoi Shahini, na ka mbështetur gjithmonë kur kemi pasur nevojë, prandaj i ftoj të gjitha bizneset kombëtare nga Lugina e Preshevës, Maqedonia, Mali i Zi, që t’i përgjigjen ftesës me aq sa kanë mundësi. “Ne të gjithë gëzohemi kur fitojmë diçka, por atë gëzim duhet ta ndajmë sot me banorët e zonave të përmbytura”, tha Shahini.

Kryeministri Rama falënderoi miqtë kosovarëe që janë pjesë e këtij rrjeti solidariteti.

“Dua të ritheksoj se për ne kjo nuk është vetëm një ditë, por disa javë deri në ardhjen e pranverës. Edhe nga pikëpamja jonë ne i kemi mbushur rezervat e shtetit, por kjo ndihmë e blindon plotësisht këtë digë që siç e dini e gjetëm komplet të shqyer e të pamundur për t’iu dalë ballë këtyre situatave", theksoi Rama. 

SHKARKO APP