Kosova drejt Interpolit

Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar së fundmi nismëm parimore për t’u anëtarësuar në organizatën ndërqeveritare, Interpol, e cila ka si bazë bashkëpunimin mes agjensive ligjzbatuese të shteteve të ndryshme.

Kjo lëvizje vjen përpara votimit që do të mbahet në shtator. Për t’u bërë pjesë e organizatës, Prishtina zyrtare duhet të sigurojë votën pro nga të paktën 110 vende.

Në total, ka 190 shtete dhe entitete që janë pjesë e Interpol dhe që përfshihen në seancën kur zhvillohet votimi në Asamblenë e Përgjithshme.

Në prononcimet e tyre për cështjen, zyrtarët e qeverisë janë shprehur optimistë se do të kenë mbështetjen e nevojshme për t’u bërë pjesë e organizatës.

Ministri i Punëve të Jashtëme, Enver Hoxhaj, deklaron se ka patur një axhendë mjaft të ngjeshur me takime lidhur me këtë çështje dhe se është mjaft optimist që nga votimi do të vijë një lajm i mirë.

Numri një i diplomacisë së Kosovës shton se anëtarësimi në këtë organizatë ndërqeveritare sjell mjaft anë pozitive për agjensitë ligjzbatuese të vendit, e më kryesisht për policinë.

Gjithashtu, sipas tij, me afrimin në Interpol, Kosova nuk do të vuajë më urdhër-arrestet e Serbisë, që sipas Hoxhaj, janë dhënë mbi motive krejtësisht politike.

SHKARKO APP