Kosova e Shqipëria bashkë për organizimin e ceremonisë së varrimit të eshtrave të Isa Boletinit

Ministri Krasniqi tha se “tashmë përgatitjet për ceremoninë kanë filluar. Data për ceremoninë e varrimit të eshtrave të heroit Boletini është caktuar 28 Nëntori 2014. Figura e Isa Boletinit është gjithëkombëtare. Pikërisht për këtë një organizim nga të dy vendet tona do t’i bënte nder figurës dhe veprës së tij për liri dhe pavarësi”.
Ai shtoi se qeveria e Republikës së Kosovës do të udhëheqë këtë ceremoni.
Ambasadori Qemajl Minxhozi shprehu gatishmërinë e lartë të institucioneve të qeverisë së Shqipërisë për të qenë bashkorganizatorë të kësaj ceremonie.
“Ne jemi të lumtur që kemi rastin si gjeneratë t’i bëjmë një nder figurës dhe veprës së Isa Boletinit”, deklaroi Minxhozi.
Në këtë takim u bisedua edhe për bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e kulturës, trashëgimisë kulturore dhe sportit.
Ministri Krasniqi e vlerësoi si shumë të suksesshëm këtë vit në kuadrin e bashkëpunimit kulturor mes dy vendeve, me theks në miratimin dhe implementimin e Kalendarit Kulturor.
Ministri tha se “tashmë kanë filluar konsultat mes dy ministrive për axhendën e aktiviteteve për vitin e ardhshëm në kuadër të Kalendarit Kulturor.
Ambasadori vlerësoi zhvillimet në këtë aspekt, si dhe përgëzoi ministrin për angazhimin në ndërkombëtarizimin e sportit. Minxhozi njoftoi ministrin Krasniqi edhe për aktivitetet e ndryshme që Ambasada e Shqipërisë në Prishtinë do të organizojë gjatë këtij viti.
Isa Boletini u vra së bashku me tetë luftëtarë të tjerë në vitin 1916 në Podgoricë, pasi ishte i internuar në këtë shtet pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Austro-hungarezët e varrosën në varrezat e myslimanëve dhe mbi varr i vendosën një gur me emrin Isa Boletinac. 98 vjet nga vrasja më në fund duket se eshtrat e heroit do të pushojnë në varrin që është në oborrin e kullës në Boletin të veriut të Mitrovicës. /

SHKARKO APP