Kosova ende pa Kuvend funksional: Dështimi i 24-të për konstituimin e legjislaturës
Përpjekja e 24-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka dështuar sërish, ndërsa për të 16-ën herë me radhë mungoi kuorumi për formimin e Komisionit Zgjedhor që do të mundësonte votimin e fshehtë të kryesisë së re. Seanca e mbajtur më 31 maj u ndërpre dhe u shty për datën 2 qershor.
Bllokimi i procesit ka sjellë përplasje të ashpra politike mes partive, me opozitën që kërkon që Lëvizja Vetëvendosje të heqë dorë nga insistimi për votim të fshehtë.
“Fatkeqësisht, për shkak të kryeneçësisë politike të Kurtit dhe përpjekjes për të legjitimuar presionin politik si mjet, kemi mbetur në vendnumëro. Sot jemi në një ngërç artificial politik. I bëjmë thirrje për reflektim,” deklaroi nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, shprehu shqetësimin për bllokimin institucional: “Pa një Kuvend të konstituar, nuk mund të ecin proceset dhe nuk mund të miratohen ligje. Ende po presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe shpresojmë për një zgjidhje.”
Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje mbetet në pritje të interpretimit nga Gjykata Kushtetuese, e cila është thirrur për të dhënë një mendim mbi legjitimitetin e kalimit nga votimi i hapur në atë të fshehtë për kryetarin e Kuvendit.
Seanca e parë konstituive e kësaj legjislature nisi më 15 prill, por pas më shumë se një muaji, Kuvendi i Kosovës ende nuk ka arritur të formojë kryesinë dhe të fillojë punën legjislative. Kriza politike po zgjat dhe pasiguria mbetet e lartë.
KOHA JONË SONDAZH

