Kosova, feja dhe vatra e islamizimit?
Shifrat e myslimanëve të radikalizuar në Kosovë janë alarmuese. Strukturat shtetërore dhe të shoqërisë civile në Kosovë përpiqen t’i frenojnë këto zhvillime.
Feja radikale islame është një problem në rritje për Kosovën, por edhe për gjithë rajonin dhe për Evropën. Ekspertët në Kosovë janë të alarmuar për zhvendosjen e identitetit në drejtim të fesë tek shqiptarët dhe kërkojnë masa të vendosura politike dhe sociale.
Megjithëse Kosova numëron vetëm më pak se dy milionë banorë, që prej vitit 2012 kanë shkuar në luftë 316 vetë për t’u bashkuar me Shtetin Islamik, midis tyre edhe gra edhe fëmijë. 58 prej tyre ndërkohë janë vrarë. Aktualisht për Shtetin Islamik, IS vazhdojnë të luftojnë ende 140 kosovarë. 117 vetë prej tyre janë kthyer në Kosovë. Këto shifra ia deklaroi sot Deutsche Welle-s Baki Kelani, zëdhënës i Ministrisë së Brendshme të Kosovës. Sipas Kelanit, hetime po bëhen kundër 237 personave, me akuzën: organizim dhe pjesëmarrje në akte terroriste, pjesëmarrje në akte terroriste jashtë Kosovës, rekrutim, mbështetje, financim i terrorizmit. Prej vitit 2013 janë arrestuar 127 vetë prej të akuzuarve, midis tyre edhe të dyshuarit si drejtues.
Zhvendosje identiteti
Pas këtyre shifrave qëndrojnë fenomene sociale të përmasave të mëdha: varfëria në rritje, 40 përqind papunësi, mungesë shansesh dhe zhgënjim i shumë njerëzve si dhe njëkohësisht kthimi në rritje drejt interpretimeve më të rrepta të fesë islame, të cilat më parë nuk i gjeje në Kosovë. Sipas të dhënave të ekspertëve të sigurisë, rreth 50.000 kosovarë janë sot ithtarë të një feje konservatore islame. Pjesa më e madhe e popullatës së Kosovës janë myslimanë, shqiptarë, romë, turq, boshnjakë.
Sot mund të shikosh në rrugët e Prishtinës, por dhe në qytete të tjera e nëpër komuna gjithnjë e më shumë vajza dhe gra me shami koke, 15 vite më parë kjo përbënte përjashtim. Edhe gra të mbuluara krejtësisht sot nuk janë më të rralla. Që këtu është e dukshme që feja tradicionale islame e periudhës osmane, e ndikuar fort nga sufizmi, po mbulohet gjithmonë e më tepër nga forma më të rrepta, të cilat kanë mbërritur në Ballkan përmes ndikimit saudit.
Sipas një studimi të publikuar në verë 2016 nga Instituti për Studime Politike (KIPRED) në Kosovë “57% e shqiptarëve myslimanë në Kosovë ndihen më parë si shqiptarë, në një kohë kur 32% e shohin veten më parë si myslimanë dhe pastaj si shqiptarë”. Lulzim Peçi, autori i studimit sheh te këta njerëz “një zhvendosje të madhe identiteti, nga përkatësia linguistike etnike (komb i gjuhës) drejt një shoqërie fetare-etnike.”
Ndikim i shteteve islamike
Islamizimi i shqiptarëve të Kosovës filloi pas fundit të luftës së Kosovës fillimisht ngadalë. Arabia Saudite, Kuvajti dhe shtete të tjera islamike investuan në mënyrë masive në rindërtimin dhe në ndërtimin e xhamive, dërguan predikues dhe mbështetën njerëz në nevojë. Sot në Kosovë ka 742 xhami. Në përgjithësi, numri i ndërtesave myslimane, duke përfshirë edhe shkollat e Kuranit arrin në 798. Por me paratë e predikuesve në vend hyri edhe një fe tjetër islame. Sociologu Smajl Hasani e sheh fajin edhe në sistemin e keq arsimor të Kosovës, ku i është kushtuar pak rëndësi pajisjes së identitetit kosovar me një identitet fetar, multifetar. Kjo u dëshmua edhe nga studimi i fundit i Pisas.
Përfaqësuesit e Bashkësisë Islame nuk pranojnë se janë bashkëfajtorë për radikalizimin. Asnjë nga personat që janë bashkuar me rrjetet terroriste nuk ka dalë nga bashkësia e saj, thotë Besa Ismaili, teologe e Bashkësisë Islame të Kosovës. Ajo thotë se midis besimtarëve të vërtetë “nuk ka ekstremizëm, në besim nuk ka dhunë, por vetëm dashuri.”
Rol i rëndësishëm i Gjermanisë
Por megjithë përpjekjet për punë sqaruese, kushtet kuadër në Kosovë mbeten shumë të vështira. Kushtet ekonomike shumë të vështira si dhe mungesa e perspektivës për rininë, e cila e sheh veten gjithnjë e më të izoluar në Evropë si dhe strukturat e dobëta shtetërore, me pavendosmërinë, korrupsionin dhe paaftësinë e tyre kanë ndikuar në gjendjen aktuale, thotë Florian Qehaja, drejtor i Qendrës për Studimet e Sigurisë në Kosovë. Ai kërkon një strategji të gjerë të integruar, si në arsimimin e rinisë, në zgjedhjen e imamëve, në mediet si dhe në arkitekturën e sigurisë në vend, në bashkëpunimin rajonal me Maqedoninë dhe Shqipërinë dhe mbështetje të mëtejshme ndërkombëtare, për ta ndalur islamizimin e mëtejshëm.
Kosova është pjesë e aleancës globale kundër terrorizmit dhe ka plotësuar në këtë kuadër edhe kushtet ligjore kuadër, për të vepruar kundër terrorizmit. Por në mënyrë që feja radikale islame të mos zërë rrënjë në Kosovë dhe që vendi të mos kthehet në vatër të islamizmit, nevojiten masa të gjera të shoqërisë dhe të politikës, po edhe fuqitë mbrojtëse ndërkombëtare duhet të veprojnë në mënyrë më të vendosur kundër zhvillimeve. Gjermania është e lidhur me Kosovën veçanërisht përmes një numri të madh migrantësh (rreth 400.000 vetë). Atentatori i aeroportit, që vrau në 2011-ën dy ushtarë amerikanë, ishte fëmijë migrantësh shqiptarë. Dhe arrestimi sot i dy kosovarëve në Oberhausen, në Gjermani tregon forcën shpërthyese që ka radikalizimi në Kosovë edhe për Gjermaninë.
Burimi: Deutsche Welle