Kosova feston 28 Nëntorin, aktivitete edhe në Kullën e heroit Isa Boletini

Në Kosovë sot po festohet 28 Nëntori – Dita e 104 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe e Flamurit Kombëtar Shqiptar, e cila është ditë pushimi me vendim të veçantë të qeverisë.

Kryeqyteti Prishtina dhe qytetet e tjera si tradicionalisht në 17 vitet e lirisë e 8 vitet e pavarësisë së Kosovës janë mbushur plot me flamuj kuqezi dhe njerëz në festën e madhe në sheshe edhe me koncerte.

Një nga manifestimet e festës më të madhe të gjithë kombit mbahet në Boletin, vendin e lindjes e Kullën në rajonin e Mitrovicës në veri të Kosovës, prej nga para 104 viteve heroi Isa Boletini me 400 bashkëluftëtarët e tij shkoi në Vlorë në krah të Ismail Qemalit për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Edhe sot, si përgjithmonë, përkujtohet se në Vlorë, bashkëluftëtarët e Isa Boletinit përbënin forcën e parë ushtarake të Qeverisë së parë shqiptare të kryesuar nga kryetari i saj Ismail Qemali, themeluesi i shtetit shqiptar, firmëtari i parë i Deklaratës së Pavarësisë Shqiptare.

Manifestimi në Boletin mbahet nën kujdesin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli. Në nderim edhe të gjithë heronjëve e dëshmorëve të lirisë dhe pavarësisë, liderët institucionalë e politikë bëjnë homazhe e vendosin lule në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe në komplekset e tjera memoriale të luftës së UÇK-së.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bën nderime dhe vendos lule edhe te Memoriali i Presidentit historik Ibrahim Rugova në Velani – Prishtinë.

SHKARKO APP