Kosova fillon krijimin e Kuvendit të ri javën e ardhshme
Kosova do e nisë javën e ardhshme me betimin e deputetëve që fituan zgjedhjet e 14 shkurtit.
E hëna u caktua nga Kryesia e Kuvendit pas konsultimit me presidenten në detyrë, Vjosa Osmani.
“U vendos që seanca të mbahet me datën 22 mars të hënën në ora 10:00,” tha Nagavci.
Ish-nënkryetarja e Parlamentit, Arbërie Nagavci, nuk e konfirmoi nëse më 25 mars do të votëbesohet qeveria me kryetar, Albin Kurtin, por Lëvizja Vetëvendosje duket se i ka votat.
“Lëvizja i ka votat e mjaftueshme për formimin e Qeverisë. Kemi në detyrë një Qeveri që nuk ishte asnjëherë e tillë,” u shpreh ajo
Me votimin e ekzekutivit, do i hapet rruga edhe formimit të institucioneve, më së pari, zgjedhjes së presidentit për të cilën ka pak konsensus.
“Sa i përket çështjes së presidentit qytetarët kanë dhënë mesazhin e duhur dhe të gjitha partitë duhet të respektojnë.”
Në Kuvendin e ardhshëm, Vetëvendosja do të përfaqësohet me 58 deputetë nga 120 gjithsej, PDK-ja me 19, 13 LDK-ja dhe 8 AAK-ja.
Tri të fundit thonë se do mbeten parti opozitare, ndaj shumicës së re qeverisëse do i duhet të krijojë aleanca me grupimet e pakicave etnike.