Kosova firmos marrëveshjen e pensioneve me Kroacinë
Kosova dhe Kroacia nënshkruan në Zagreb marrëveshjen për sigurimet shoqërore, e cila i mundëson qytetarëve të dyja vendeve realizimin e të drejtave si pensionet e moshës, ato familjare, pensionet e invalidëve të punës dhe e drejta për pension nëse kanë punuar e kontribuar në vendet përkatëse.
Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Financave të Kosovës, Hekuran Murati dhe ministri i Punës dhe Pensioneve të Kroacisë Marin Piletiç. Me këtë marrëveshje, qytetarëve kosovarë, të cilët kanë punuar një kohë të gjatë në Kroaci do t’u mundësohet që pas arritjes të moshës së pensionimit të kenë të drejtë që këtë pension ta marrin në Kosovë.
Qytetarëve kosovarë iu mundësohet e drejta për t’i bashkuar periudhat e kontributeve (stazhit të punës) në mënyrë që të realizojnë pensionin, në rastet kur nuk është e mundur të plotësojnë kushtet ligjore për pensionim qoftë në Kosovë apo Kroaci.