Kosova hap pikën doganore në Portin e Durrësit

Dogana e Kosovës ka hapur të martën pikën doganore në Portin e Durrësit. Kjo pikë është cilësuar nga përfaqësuesit e Kosovës dhe Shqipërisë si hap që do të rrisë shkëmbimet tregtare ndërmjet dy shteteve. Shkëmbimet tregtare përmes Portit të Durrësit pritet të shkurtojnë koston e shpenzimeve të transportit, kohën si dhe zbutjen e procedurave burokratike tregtare. Fatmir Limaj, koordinatori kombëtar i të dy qeverive Kosovë – Shqipëri, ka thënë se integrimi i doganave mes dy shteteve është një projekt tejet i rëndësishëm.
“Pas një pune të përbashkët të ndërtimit të autostradës Shqipëri – Kosovë, ky është projekti më i rëndësishëm konkret mes dy shteteve, integrimi i doganave si vizion i përbashkët drejt unionit doganor”, është shprehur Limaj. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se hapja e zyrës doganore në portin e Durrësit shpejton lëvizjen e mallrave në tërësi dhe e kthen kufirin Kosovë – Shqipëri në një kufi formal. “Dogana e Kosovës këtu në Durrës është hapi i parë i rëndësishëm drejt bashkimit të plotë doganor mes Shqipërisë dhe Kosovës, shkurtimi i burokracisë, i orëve të pritjes së kontrolleve, i kostove të pallogaritshme të bizneseve janë efekti e drejtpërdrejt i kësaj zyre doganore.
Ne po hyjmë në një proces që na dërgon jo vetëm të bashkimi doganor, por edhe bashkimi i tregjeve”, ka deklaruar Rama. Të dhënat zyrtare tregojnë se vlera e produkteve, të cilat importohen nga Shqipëria në Kosovë kap vlerën e rreth 200 milionë eurove në vit, derisa vlera e produkteve të Kosovës që eksportohen në Shqipëri është rreth 60 milionë euro.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?