Kosova jep miliona euro për restaurimin e kishave ortodokse serbe
Kosova ka ndarë miliona euro për riparimin e kishave serbe, të dëmtuara në trazirat e marsit të vitit 2004. Aktualisht, vetëm për tre vjet, janë ndarë afër 1 milion euro buxhet për Kishën Ortodokse Serbe.
Përfaqësuesit e Kishës ortodokse serbe në Kosovë, thonë se autoritetet e Kosovës kanë bërë mjaft në riparimin e faltoreve ortodokse serbe, të rrënuara apo dëmtuara gjatë periudhës së pasluftës në vend, por sipas tyre, situata ende nuk është krejtësisht e kënaqshme.
Pak kohë pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, kanë qenë të shembura apo dëmtuara rreth 150 faltore dhe manastire ortodokse serbe, përfshirë edhe 35 objekte të tilla të dëmtuara gjatë trazirave të marsit të vitit 2004, thonë përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.
“Fatkeqësisht, aty ku nuk jeton më popullata serbe dhe prej ku i është dashur të largohet pas konflikteve të armatosura, aty nuk ka riparime. Por, në shumicën e mjediseve ku jetojnë serbët ose mjediset ku janë kthyer ata, është bërë riparimi”.
“Pas vitit 2004, kemi nisur procesin e riparimit. Kështu që, një numër, afërsisht rreth 70 për qind nga ato që kanë qenë të shkatërruara vetëm gjatë trazirave të marsit të vitit 2004, janë riparuar. Ndër to janë edhe Faltorja e Kirilit dhe Metodit, Oborri i Vladianskit, në Prizren janë riparuar kishat, pastaj edhe Famullia në Pejë, në Vushtri dhe në Prishtinë”, ka thënë Janjiq.
Por, Janjiq, ka shtuar se institucionet e Kosovës nuk kanë treguar gatishmëri për riparimin e trashëgimisë së dëmtuar ndërmjet viteve 1999 deri në vitin 2004, ndër të cilët janë: Manastiri i Shën Markut në Prizren, Manastiri i Tre shenjtorëve te Suhareka, Kisha e Zonjës së Bekuar nga shekulli i 14 në Mushtisht, Manastiri në Viti, si dhe Kisha e Tre shenjtorëve ndërmjet Klinës dhe Pejës.