Kosova ka 172 prona në shtetet e ish-Jugosllavisë
Në shtetet e ish-Jugosllavisë, sipas dokumenteve zyrtare gjenden 172 prona të ndërmarrjeve shoqërore. Teksa, autoritetet kompetente në Prishtinë disa herë kanë njoftuar se do të kërkojnë kthimin e tyre.
"Por Kosova po i humb pronat e ndërmarrjeve që gjenden në territorin e ish-Jugosllavisë", thonë përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Sepse sipas tyre, këto prona nuk po mbrohen nga autoritetet kompetente.
Hasan Abazi, nënkryetar në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, në një prononcim për Radion e Evropa e Lirë, thotë se edhe pse informacione zyrtare mungojnë për gjendjen e aseteve në shtetet e rajonit, informacionet tregojnë se disa nga pronat tashmë janë privatizuar, apo shfrytëzohen nga persona të shteteve tjera.
“Është rasti i pushimores në Mal të Zi, që në kontestin gjyqësor ajo tashmë ka shkuar [është humbur]. Është momenti i fundit që qeveria, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit, përgjegjëse për këto prona, që të mirat materiale të atyre pronave t’i sjellin në Kosovë, me qëllim të përmirësimit të gjendjes së punëtorëve dhe qytetarëve të Kosovës”, tha Abazi.
Zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, në një përgjigje përmes postës elektronike, kanë thënë se janë duke u angazhuar në këtë drejtim, përmes vizitave dhe bisedimeve direkte me shtetet fqinje.
Por, ekspertë për çështje ekonomike, i vlerësojnë të mangëta informacionet rreth angazhimit të autoriteteve kompetente për kthimin e pronave.