“Kosova ka dhjetë herë më shumë të infektuar se ç’mund të menaxhojë”, Veton Surroi kërkon ashpërsimin e masave

Analisti Veton Surroi ka reaguar në lidhje me situatën e COVID-19 në Kosovë. Në një postim në Facebook, Surroi shkruan, se Kosova ka mesatarish dhjetër herë më shumë të infektuar të rinj në ditë sesa mund të menaxhojë.

Duke u bazuar në këto shifra, Surroi ka kërkuar dhjetëfishimin e masave parandaluese ndaj COVID-19, ndërsa shton se vendi ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme.

Reagimi i plotë

Gjendja emergjente. Në nivel ekspertësh në Evropë e SHBA tashmë është mbërritur konsensusi se COVID-19 mund të quhet i menaxhueshëm kur niveli i infektuarve të rinj sillet në një për njëqind mijë banorë.

Në rastin e Kosovës kjo do të thoshte që numri i të infektuarve të rinj në ditë duhet të ishte dikund mes 17 e 18.

Aktualisht, dhe me numrin më të vogël të testimeve për kokë banori në Evropë, Kosova ka mesatarisht dhjetë herë më shumë të infektuar të rinj se ç’mund të menaxhojë. Sot kishte 188 të evidencuar.

Kjo quhet gjendje e jashtëzakonshme dhe kërkon masa së paku dhjetëfish më të avancuara se deri tani. Nëse për një gjë duhet të ekzistojë konsensusi në shoqërinë kosovare atëherë do të duhej të ishte ndalimi i theqafjes së shëndetit publik ku gjendet tanimë.

SHKARKO APP