Kosova ka eksportuar më shumë në Indi se në Shqipëri
Agjencia e Statistikave te Kosovës (ASK), respektivisht Departamenti i Statistikave Ekonomike ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin shkurt 2015.
Të dhënat nga Tregtia e jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të larët për muajin shkurt 2015 prej 140,5 milionë euro krahasuar me deficitin prej 136,2 milionë euro me periudhën e njëjtët te vitit 2014. Eksporti mbulon importin 14.2 për qind.
Eksporti i mallrave në muajin shkurt 2015 kishte vlerën 23,3 milionë euro, ndërsa importi 163,8 milionë euro, është një rritje prej 5.7 për qind për eksport si dhe 3.5 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014.
Sipas të dhënave të grupeve kryesor të eksportit: 64.1 për qind të eksportit e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 6.3 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 4.9 për qind produktet minerale, 4.7 për qind tekstil dhe artikuj tekstili, 4.1 për qind plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre, 4.1 për qind lëkurë dhe artikuj prej tyre, 3.0 për qind produktet bimore, 3.0 për qind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike etj.
Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesor për import: 18.4 për qind të importit e përbëjnë produktet minerale, 13.0 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 11.8 për qind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 8.7 për qind produkte të industrisë kimike, 8.2 për qind metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 6.6 për qind produktet bimore, 6.1 për qind mjetet e transportit, 5.4 për qind plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre etj.
Lidhur me eksportin dhe importin e Kosovës, partner kryesor tregtar janë vendet e BE-së, të cilat marrin pjesë me 40.6 për qind për eksport dhe 41.5 për qind për import, ndërsa vendet e CEFTA-s marrin pjesë me 28.5 për qind për eksport dhe 31.8 për qind për import. Përqindja më e madhe e eksportit ishte në Indi me (18.7 për qind), Itali (12.6 për qind), Shqipëri (12.4 për qind), Belgjikë (8.9 për qind), Maqedoni (8.6 për qind), Serbia (3.2 për qind), Mali i zi (2.8) etj.
Ndërsa sipas të dhënave përqindja më e madhe e importit është nga Serbia (17.1 për qind), Gjermania (10.2 për qind), Kina (9.5 për qind), Italia (8.3 për qind), Turqia (7.7), Shqipëria (7.2 për qind), Maqedonia (4.9 për qind) etj./Illyria