Kosova, Katalonia dhe një thes me rrena nga Serbia

Pushteti i Beogradit ka filluar sërish një fushatë kundër pavarësisë së Kosovës, duke marrë si shkas referendumin në Kataloni. Qëllimi i kësaj fushate propagandistike është fshehja e krimeve serbe në Kosovë.
Nga Enver Robelli

Ivica Daçiqi, zëdhënësi i diktatorit Sllobodan Millosheviq, deklaroi me ton teatral se Serbia e ka paralajmëruar Europën se, nëse e pranon pavarësinë e Kosovës, atëherë do të hapet kutia e Pandorës. Referendumi në Kataloni, sipas tij, është një akt i njëanshëm, siç është i njëanshëm edhe akti i Kosovës – shpallja e pavarësisë. Daçiq përmendi edhe të drejtën ndërkombëtare, e cila qenkësh shkelur me rastin e daljes së Kosovës nga zgjedha serbe. Serbia, një shtet që në vitet ’90 ka sulmuar me ushtri, polici apo forca paramilitare katër popuj të Ballkanit (sllovenët, kroatët, boshnjakët, shqiptarët), përmes ministrit të saj të Jashtëm bëhet sikur po e mbron të drejtën ndërkombëtare. Ky shtet nuk ka lënë ligj ndërkombëtar pa shkelur dhe nuk ka lënë krim pa kryer, andaj tani, për të fshehur gjurmët e krimeve masive të luftës, e krahason Kosovën me Kataloninë. Një metodë perfide për t’i thënë botës: «E shihni, edhe ne kështu jemi sjellë me kosovarët dhe ata u shkëputën ilegalisht».

Por, sjellja e Beogradit ndaj Kosovës nuk mund të krahasohet me dhunën njëditore të policisë spanjolle në Barcelonë. Vetëm ngjarjet që nga viti 1989 në Kosovë – heqja e autonomisë, aparteidi arsimor, shtypja ekonomike, vrasjet e pandërprera që kulmuan me masakra në vitet 1998/99 dhe dëbimin e gati 1 milion njerëzve nga shtëpitë e tyre – mjaftojnë për ta konsideruar pavarësinë e Kosovës si plotësisht legjitime. Pa hyrë këtu më thellë në historitë e pushtimit të Kosovës nga qeveritë serbe dhe ambiciet e tyre për të kolonizuar Kosovën me serbë dhe për ta shpopulluar nga shqiptarët, duke i dëbuar në Turqi.

Daçiq tha se nuk pret që 22 vendet e BE-së të tërheqin pavarësinë e Kosovës – «si të thonë kemi gabuar», «na kanë bombarduar për shkak të Kosovës, nuk do të thonë tash se kemi gabuar». Edhe në vitin 2017 Daçiq flet siç fliste më 1997, 98, 99 – si një nacionalist i zhytur në urrejtje, pa asnjë gatishmëri për të pranuar krimet që i ka kryer regjimi, pjesë e të cilit ka qenë edhe ai. Tani, në rolin e ministrit të Jashtëm, ai kërkon që Serbia të anëtarësohet në BE, por pa hequr dorë nga politika hegjemoniste në Ballkan.
Kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq, e cila nuk është më shumë se një marionetë e kryetarit Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi një letër në adresë të Komisionit Europian, ku në stilin e njohur Serbia do të shprehë habinë me standardet e dyfishta të BE-së, me «dy të drejta ndërkombëtare» (një për Serbinë, një për BE-në), me kutet e ndryshme të politikës ndërkombëtare, me strategjitë dyfytyrëshe të fuqive të mëdha. Etj. Etj. Në formulimin e broçkullave të tilla politikanët e Beogradit kanë qenë përherë kampionë.

Krejt kjo stuhi deklaratash të politikanëve serbë pasoi kur një zëdhënës i BE-së tha se Katalonia dhe Kosova nuk mund të krahasohen. «Por, kush po e akuzon BE-në për hiporkizi? Alkimistët! A nuk ishin Vuçiqi dhe Daçiqi pjesë e pushtetit, i cili më 1999 shënoi një «fitore madhështore» kundër NATO-s? A nuk kanë dhënë ata kontributin e tyre më madhështor në ngjarjet para bombardimeve?», shkruan gazeta «Danas» në një koment.
Opozita në Serbi e ka quajtur rënien në trans të pushtetit në lidhje me Kataloninë dhe Kosovën një fushatë për qëllime të brendshme politike. Kjo është e vërtetë, por opozita serbe, me ndonjë përjashtim, nuk është e gatshme të pranojë realitetin në Kosovë dhe ende beson se mund t’i tejkalojë ultranaiconalistët e djeshëm radikalë duke sforcuar muskulaturën patriotike. Ndër të vetmit politikanë të arsyeshëm ishte Gjorgjo Zhujoviq nga Partia Liberal-Demokratike e Çedomir Jovanoviqit: «Serbia e ka humbur Kosovën në luftë të përgjakshme, pas shumë gabimeve që i ka bërë dhe të përmendet kjo tani në dritën e ngjarjeve në Spanjë është kundërproduktive dhe nuk çon në drejtim të zgjidhjes së problemeve që i kemi si vend».

Megjithatë, kryeministrja Bërnabiq është optimiste se Serbia deri në vitin 2022 do t’i përfundojë negociatat për anëtarësim. Natyrisht as atëherë, sipas saj, Serbia nuk duhet ta pranojë Kosovën, sepse as Spanja nuk e ka pranuar. Teatër vjeshte në Beograd. Por, ky teatër nuk do të kishte kuptim pa Aleksandër Vuçiqin. Ky aktor i skenës politike tha se tani që ka kërcënuar se do t’i dërgojë një letër BE-së, «pres të vazhdojnë të ushtrojnë presion që të mos e dërgoj letrën, pres të vazhdojnë presionin që të mos kërkoj përgjigje në atë letër, pastaj të ushtrojnë presion për ku di unë çfarë». Në të vërtetë Vuçiq e di mirë se Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE pa e njohur pavarësinë e Kosovës. Deri atëherë festviali i teatrit politik ballkanik do të vazhdojë. Dhe BE e SHBA me siguri do të frikësohen nga letrat e Vuçiqit dhe Bërnabiqit dhe Daçiqit dhe do të thonë se janë penduar që e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës dhe tani e tutje nuk do të bëjnë gabime të tilla dhe Serbia mund të kthehet në Kosovë dhe ta shtyjë kufirin deri në Zagreb dhe ta gllabërojë Bosnjën e Maqedoninë dhe Malin e Zi dhe pse jo edhe Shkodrën. Ndërsa popujt e tjerë të Ballkanit do të qëndrojnë duarkryq. Dialogplus.ch

SHKARKO APP