Kosova konfirmon ndalimin e veteranit të UÇK nga policia shqiptare

Placeholder Image

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka njoftuar se autoritetet e Shqipërisë, e kanë liruar ish-luftëtarin e UÇK-së, Murtez Kastrati, i cili u ndalua nga policia, pas një kërkese që Serbia kishte dërguar në INTERPOL.

Haradinaj-Stublla tha se është njoftuar nga homologu i saj shqiptar, Gent Cakaj, se veterani i UÇK-së ishte liruar para dy orësh dhe se ai ishte ndaluar për verifikim.

Sipas ministres Haradinaj-Stublla, Serbia po vazhdon me veprime ilegale ndaj Kosovës, ndërsa ka shtuar se Shqipëria do të përditësojë listat e dërguara nga Serbia, me qëllim, që sipas saj, ato të reflektojë “realitetin politik e ligjor të Kosovës”.

“Do të angazhohemi bashkë me organizatat e dala nga lufta që menjëherë qeveria, respektivisht MPJD dhe MPB e Republikës së Kosovës, t’u vë në dispozicion autoriteteve të Shqipërisë, listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ministrja Haradinaj-Stublla në një postim në rrjetin social Facebook.

Më herët gjatë ditës, ishte kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, që njoftoi për ndalimin e Murtez Kastratit nga Policia e Shqipërisë.

Ai iu bëri thirrje bashkëluftëtarëve të tij, që të shmangin lëvizjet nëpër shtetet tjera, pasi siç tha, ai ka informacione se Serbia ka përpiluar një listë të re të emrave të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, të cilat i ka dërguar në INTERPOL.

“Ju bëjmë apel bashkluftëtarëve që këto ditë mos të lëvizin dhe të mos dalin në shtetet tjera. Shteti i Shqipërisë duhet sa më parë ta lirojë Murtez Kastratin dhe të mos i marrë parasysh asnjëherë veprimet dhe listat e dërguar në INTERPOL nga Serbia, deri sa do të vazhdojnë kështu duke u maltretuar në këtë formë njerëzit që dhanë çdo gjë që ne sot ta kemi shtetin, veteranët ende nuk janë në gjendje të lëvizin të lirë, Qeveria e Kosovës sa më parë duhet të marrë masa në këtë drejtim dhe të mos kemi më raste të tilla”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.

Kosova nuk është pjesë e Organizatën Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL). Tentativat e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL kanë nisur që nga viti 2010. Atë kohë, Komiteti Ekzekutiv i kësaj organizate, nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën e parashtruar nga Prishtina zyrtare.

Më 2015 dhe 2016, Kosova kishte aplikuar, por nuk ishte futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme. Më 2017, Kosova pati tërhequr vullnetarisht kërkesën, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme. Njëjtë kishte vepruar edhe më 2019./ REL

SHKARKO APP