Kosova, letër OKB-së kundër Jeremiçit
Mediat në Serbi dhe disa të tjera ndërkombëtare kanë raportuar se Konsullata e Kosovës në Nju Jork u ka dërguar një letër përfaqësuesve të shteteve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, përmes së cilës shprehin kundërshtimin e tyre të fuqishëm për zgjedhjen e mundshme të serbit Vuk Jeremiç, si Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së.
Raundi i ri i votimeve për pasardhësin e Ban Ki-moon do të zhvillohet këtë të premte në selinë e OKB-së në Nju Jork, ndërsa mandati i sekretarit aktual përfundon në fund të këtij viti.
Ish-ministri i Jashtëm i Serbisë, i cili ka shërbyer edhe si president i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, për momentin është në vendin e tretë me vota, në garën për të fituar këtë post.
E përditshmja serbe “Blic” raporton se në letër thuhet që Jeremiç nuk mund të zgjidhet Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së, sepse ai është nga një vend “përgjegjës për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë”.
Sipas “Blic”-it, në letër shkruhet gjithashtu se, për të qenë i përshtatshëm për këtë post, duhet një person “me parime të larta morale dhe aftësi profesionale, kandidat për të cilin nuk mund të jetë Jeremiç, i cili teksa ishte ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë nuk kërkoi falje për krimet e vendit të tij në Kosovë”.
Megjithatë, e vërteta qëndron ndryshe nga sa është raportuar në Serbi, gjatë kësaj të premteje. Një letër e tillë do të dërgohet të shtunën ose të dielën, e nuk ka shkuar.
Jeta Berisha, njëra nga organizatoret e protestës në Prishtinë kundër emërimit të Vuk Jeremiç, ka thënë se letra do të dërgohet pasi të shqyrtohen edhe detajet e fundit në të.
“Letra është në përfundim e sipër”, ka deklaruar Berisha, e cila shtoi se detajet po shqyrtohen edhe nga një pjesë e shoqërisë civile.
“Por besoj se, nesër ose të dielën do t’ua dërgojmë me komunikatë për media”.
Mediat serbe kanë shkruar gjithçka këto ditë, prej politizimit të protestës, e deri tek artikujt e ndryshëm gazetareskë.