Kosova marrëveshje me FMN dhe BERZH
Institucionet e Republikës së Kosovës kanë përfunduar negociatat me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe është arritur Marrëveshja”, ka bërë të ditur kryeministri Isa Mustafa.
“Këtë Marrëveshje e konsiderojmë shumë pozitive për Kosovën, me te arrijmë që të bëjmë ndryshimin e Rregullës Fiskale, e cila lejon që qeveria për investime publike për projekte kapitale të rrit financimin e saj përmes agjencive të ndryshme financuese, përkatësisht përmes shfrytëzimit të burimeve të jashtme, dhe poashtu përmirësohet dhe ruhet stabiliteti fiskal dhe financiar, duke ngritur nivelin e rezervës fiskale dhe duke e përmirësuar strukturën e buxhetit”, tha kreu i qeverisë së Kosovës.
Drejt rishikimit të buxhetit, Kuvendi i Kosovës në 16 korrik ka miratuar Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015, me procedurë të përshpejtuar, pasi si u tha, në 24 korrik Bordi i FMN-së në Uashington do të diskutojë marrëveshjen me Kosovën. Rishikimi i Buxhetit është bërë në harmoni të plotë me marrëveshjet e arritura me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ka theksuar qeveria.
Në konferencën për shtyp dje pasdite, kryeministri Mustafa bëri të ditur edhe se Kosova tani është në një fazë të marrëveshjeve me institucionet financiare ndërkombëtare për kredi për financimin e projekteve të ndryshme investive.
“Kemi arrit marrëveshje me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim sa i përket financimit të hekurudhës, kemi dhënë garancionet e qeverisë lidhur me blerjen e autobusëve të Trafikut Urban për Prishtinën, dhe poashtu jemi në marrëveshje me këtë bankë për programet zhvillimore që kanë të bëjnë me efiçiencën e energjisë, me ujësjellësin dhe me kanalizimin në zonat rurale”, tha ai.
Kreu i qeverisë kosovare tha se po punohet edhe në Ligjin për Investime Strategjike, me qëllim të krijohen kushte për tërheqjen e investimeve të jashtme dhe për thjeshtëzimin e procedurave të tërheqjes së këtyre investimeve.
“Po punojmë për Ligjin mbi fondin e garantimit të kredive, që sa më shpejtë të përmbyllet edhe kjo, dhe poashtu po punojmë edhe në projektin e ‘Kosovës së Re’, që të sigurojmë energji elektrike në mënyrë perspektive për Kosovën. Jemi poashtu edhe në negociata që të shohim mundësitë edhe të zhvillimit të projekteve tjera, edhe për ‘Kosovën A’, pastaj në projektet që kanë të bëjnë me Ballkanin Perëndimor 6 që përfshijnë hekurudhën, transmisionin 400 kilovoltësh, rrugën Prishtinë-Shkup dhe Autostradën për në Merdar”, tha Mustafa duke paralajmëruar edhe projekte zhvillimore për bujqësinë.
Në konferencën për shtyp, kryeministri Mustafa ka prezantuar realizimin e prioriteteve të qeverisë së Kosovë në fushën e ekonomisë, veçmas në fushën e politikave fiskale dhe rezultateve që priten nga këto politika, për të cilat ka folur para mediave edhe ministri i Financeve, Avdullah Hoti.