Kosova mbi 1000 të prekur nga COVID-19, konfirmohen 14 raste në 24 orët e fundit
Të mërkurën në Kosovë u konfirmuan edhe 14 raste të reja me koronavirus. Ndërkohë që dje kishte vetëm 1 rast ashtu si në Shqipëri.
“Rastet pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Prizrenit 8 raste (sipas vendbanimit: 8 raste Prizren) dhe komuna e Rahovecit 6 raste (sipas vendbanimit 6 raste Rahovec)”, thuhet në njoftimin e Institutit Kombëtar të Shendetësisë Publike (IKSHPK).
Nga të dhënat e fundit, numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Kosovë shkon në 1.003.
Në njoftim, po ashtu bëhet e ditur se janë shëruar edhe tre pacientë, të cilët e çojnë në 772 numrin e përgjithshëm të të shëruarve.
“Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Deri më tani nga sëmundja COVID-19 kanë vdekur 29 pacientë. Në Kosovë rastet e para me koronavirusin e ri u shfaqën më 13 mars. Për të frenuar përhapjen e mëtejmë të virusit, autoritetet kanë shpallur gjendje emergjente të shëndetit publik.