Kosova mbyll restorantet dhe vendos orë policore
Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja anti-Covid të cilat do të jenë në fuqi nga data 7 deri më 18 prill. Kufizimi i lëvizjes është vendosur nga ora 22:00 deri në orën 5 të mëngjesit, ndërsa institucionet publike dhe private të arsimit parauniveristar dhe universitar do të kalojnë në mësim online.
Restorantet do të pezullojnë aktivitetin në këtë periudhë kohore bashkë me qendrat tregtare në të cilat do të funksionojnë vetëm dyqanet ushqimore dhe farmacitë. Vendimi i ri i qeverisë thotë se qarkullimi i qytetarëve nga ora 22:00 deri në 05:00, të mëngjesit mund të bëhet vetëm për urgjencë apo ndihmë mjekësore dhe se në këtë periudhë mund të lëvizin personeli shëndetësor dhe operatorët ekonomik me leje të veçanta nga qeveria.
Gjithashtu, ndalohen grumbullimet në më shumë se 10 persona, ndërsa transporti publik do të lejohet të punojë duke shfrytëzuar deri në 50% të kapaciteteve dhe taksitë lejohen të punojnë me një pasagjer prapa ose tre nëse janë anëtarë të së njëjtës familje.
“Në një situatë të tillë të gjendjes emergjente të shëndetit publik, është e nevojshme që të kufizohet liria e lëvizjes, liria e tubimit, e të drejtës së privatësisë, dhe lirisë së dhënies së shërbimeve dhe administrimit të biznesit”, tha ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Të gjithë qytetarët që hyjnë në Kosovë duhet të paraqesin testin negativ prej 72 orësh, në të kundërtën duhet të vetizolohen për 14 ditë.