Kosova me qeveri të re, Ramush Haradinaj zgjidhet kryeministër

Me shumicë votash dhe pa praninë e opozitës, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Qeverinë e re të Kosovës, me në krye, Ramush Haradinajn. Qeveria Haradinaj është zgjedhur për mandatin e ardhshëm katër vjeçar. I gjithë procesi i zgjedhjes është kritikuar ashpër nga opozita, përkatësisht Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Opozita doli nga salla për shkak të mospërfilljes së tërheqjes së mocionit për ndërprerjen e debatit që kishte prezantuar në pjesën e parë të punës së seancës, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca.

Fillimisht, mocioni i tij nuk ishte hedhur në votim nga ana e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, pasi që në sallë nuk ishte e pranishme Lista Serbe. Por, pas një pauze prej më gjatë se dy orë, veseli e hodhi në votim këtë mocion, pavarësisht faktit që Konjufca hoqi dorë. Në shenjë proteste, Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës lëshuan sallën, duke e akuzuar Veselin për shkelje të rregullores së punës.

Seanca nisi me vonesa dhe u përshkua me një pauzë të gjatë, pasi që deputetët e Listës Serbe nuk ndodheshin në Kuvend. Lista Serbe gjatë ditës ka qëndruar në Beograd në konsultime me autoritetet shtetërore serbe rreth pjesëmarrjes në Qeverinë e re të Kosovës. I mandatuar për ta udhëhequr Qeverinë e ardhshme të Kosovës është lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, partia e të cilit është pjesë e koalicionit me Partinë Demokratike të Kosovës, Nismës për Kosovën, ndërsa në koalicion janë edhe Aleanca Kosova e Re, Lista Serbe dhe partitë tjera të minoriteteve.

Në paraqitjen e tij para Kuvendit, Haradinaj prezantoi emrat e ministrave të kabinetit të ri qeverisës. Ai u shpreh i gatshëm të marrë përsipër udhëheqjen e Qeverisë së re, e cila do t’i ofrojë Kosovës perspektivë, zhvillim ekonomik dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë. “Gjendja në sektorët veç e veç, pa i mohuar të arriturat e caktuara, prapë është e vështirë. Shëndetësia e arsimi s’janë mirë. Bujku ndihet i lënë vetëm, të rinjtë vështirë arrijnë të vijnë te një vend pune, femrat e kanë edhe më të vështirë punësimin, sidomos ata të viseve rurale”, tha Haradinaj. Andaj, ai u zotua se Qeveria nën drejtimin e tij është e gatshme t’i marrë përgjegjësitë./Rel/

SHKARKO APP