Kosova, në axhendën e UNESCO-s për anëtarësim
Kosova ka hyrë në axhendën e UNESCO-s për anëtarësim, e përkrahur nga numër rekord shtetesh, bëjnë të ditur në MPJ-në kosovare.
“Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës do të mbajë sot një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, ku do të shpalosen detaje të reja rreth procesit të anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën -(UNESCO, pas futjes se kërkesës së Kosovës për anëtarësim në axhendë të Bordit Ekzekutiv, të nënshkruar nga një numër rekord i shteteve anëtare”, thekon njoftimi për shtyp.
“Një lajm fantastik, një sukses i diplomacisë që e kemi pritur gjatë. Dëshmi që kur punojmë bashkë, ia arrijmë çdo qëllimi, me dinjitet”, është shprehur zv/kryeministri i parë e ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi. Ndërsa, ka shtuar ai, “shumë sfida na presin, por rrugëtimin tonë diplomacia Serbia nuk e ndali dot me mahinacione procedurale dhe propagandë negative – edhepse tentuan”.
“Falënderoj shumë 44 shtete qe kanë bashkënenshkruar kërkesën për anëtarësi, falënderoj Ambasadoren Kadare dhe ekipin tonë për punë të palodhshme, këto javët e fundit. UNESCO për neve paraqet një platformë për zhvillimin e arsimit, shkencës, kulturës, ambientit, shprehjes së lirë, mbrojtjes së trashëgimisë – për fëmijët tanë!”, ka theksuar shefi i diplomacisë kosovare.
“Falënderoj Shqipërinë, Austrinë, Bahrainin, Belizenë, Burkina Fason, Çadin, Kosta Rikën, Bregun e Fildishtë, Danimarkën, Republikën Dominikane, El Salvadorin, Estoninë, Finlandën, Francën, Gabonin, Gambinë, Gjermaninë, Ghanën, Grenadan, Guinean, Haitin, Hondurasin, Irlandën, Jordanin, Latvinë, Lesotho, Holandën, Omanin, Panamanë, Papua Guinenë e Re, Katarin, Arabinë Saudite, Senegalin, Slloveninë, Somalinë, Sudanin Jugor, Suedinë, Togon, Turqinë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Britaninë e Madhe, Tanzaninë, SHBA-të dhe Vanuatun që bashkë-nënshkruan kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës në UNESCO. Numër rekord i shteteve në historinë e re të UNESCO-s u bënë bashkësponsorë të axhendës, dhe kështu të ndihmojnë Kosovën në këtë hap procedural”, ka shkruar mbrëmë Thaçi në ‘Facebook’.
Një ditë më parë, duke falënderuar e vlerësuar lobimin për anëtarësimin në UNESCO, Thaçi është shprehur se “thyrja e izolimit tonë shumëshekullor është betejë e përbashkët”.
“Falënderoj Nobelistin shqiptar Dr. Ferid Muratin, Ambasadoren e Nderit Rita Orën dhe sopranon e famshme Inva Mulën që u bashkangjitën me ndihmën e tyre të drejtëpërdrejtë në lobim për anëtarësinë e Kosovës në UNESCO”, theksonte Thaçi.
Zv/kryeministri i parë e ministri i Jashtëm, Thaçi, në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të 21 gushtit, ka njofuar se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në UNESCO.“Ne fillimisht kërkuam nga Nju Jorku që të përcjellë kërkesën tonë për në UNESCO pasi kjo ishte një këshillë që na u bë nga Sekretariati i UNESCO-s. Ne e kuptojmë se OKB-ja nuk dëshiron të ketë një rol në shkëmbimin e korrespondencës dhe ua ka lënë vendeve anëtare të UNESCO-s që të vendosin mbi meritën e anëtarësimit të Kosovës”, tha Thaçi.