Kosova në panairin “Destinacionet natyrore” në Paris
Turizmi në natyrë, ecjet në këmbë, alpinizmi, ngjitjet, ecjet me kalë, çiklizmi, kampimi e të tjera do të prezantohen në panairin “Destinacionet e natyrës”, që organizohet në Paris, në datat 19- 22 mars. Sipas KosovaPress, ky është një prej panaireve më të rëndësishme në fushën e turizmit malor dhe aktiviteteve në natyrë në Evropë.
Kosova ka bukuri të rralla natyrore dhe mundësi shumë të mira për zhvillimin e turizmit natyror. Megjithatë këto vlera deri tani nuk janë prezantuar mjaftueshëm në arenën ndërkombëtare. Sipas tyre, Kosova për herë të parë ka marrë pjesë në këtë panair në vitin 2012 dhe nga përvoja e kësaj pjesëmarrje janë identifikuar shumë mundësi të promovimit të vlerave turistike të Kosovës.
Këtë vit, pjesëmarrja e Kosovës është mundësuar në sajë të bashkëpunimit mes Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, Agjencisë për Promovim dhe Mbështetje të Ndërmarrjeve, USAID-it dhe Ambasadës franceze në Kosovë.
Prezantimi i bukurive natyrore të Kosovës, diversitetit kulturor, dhe vlerave tjera që mbart Kosova, përveç rëndësisë turistike është një mundësi e mirë e promovimit dhe përmirësimit të imazhit të vendin në Evropë dhe më gjerë. Pjesëmarrja e Kosovës në këtë panair ka për qëllim kryesor të rrisë numrin e turistëve që kanë destinacion turizmin malor në Kosovë. Përmes pjesëmarrjes në këtë ngjarje synohet të joshet dhe të përfitohet klientela e Evropës Perëndimore, kryesisht ajo e Francës, të inkurajohen agjencitë turistike të Francës që të vendosin Kosovën në programet e tyre, duke propozuar udhëtime në destinacionet natyrore kosovare gjatë vizitave nëpër Ballkan. Gjithashtu, synohet të motivohen mediat dhe gazetarët që të flasin për vlerat natyrore të vendit tonë si dhe të promovohen mundësitë e investimit në sektorin e turizmin natyror.
Në kuadër të aktiviteteve të planifikuara në këtë panair përveç prezantimit të ofertës turistike natyrore të Kosovës përmes një stende me logon e shtetit të Kosovës dhe shpërndarjes së materialeve promovuese, do të prezantohen edhe disa kompani vendore nga sektori i turizmit natyror. Po ashtu, do të zhvillohen takime me kompanitë dhe grupet e organizuara të turistëve nga Franca dhe më gjerë, do të mbahen konferenca për media dhe gazetarë si dhe pritet edhe nënshkrimi i ndonjë marrëveshjeve të mundshme bashkëpunimi.