Kosova: një e ardhme evropiane

Op-Ed i përbashkët nga Federika Mogerini, Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Politika të Jashtme dhe të Sigurisë dhe Nënkryetare e Komisionit Evropian dhe Frank-Walter Steinmeier, Ministër i Punëve të Jashtme i Gjermanisë i boruar në të përditshmen Koha ditore

Dita e sotme shënon një fillim të ri. Për Kosovën, për Ballkanin, për tërë Evropën. Pas një pune të madhe katër vjeçare – si nga Kosova ashtu edhe nga Bashkimi Evropian – hyn në fuqi Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim mes Kosovës dhe BE-së.

Kjo është marrëveshja e parë gjithëpërfshirëse që është arritur ndonjëherë mes Kosovës dhe BE-së. Pesëmbëdhjetë vjet pas luftës, ajo e konfirmon perspektivën e qartë evropiane të Kosovës dhe konfirmon angazhimin e qartë të Evropës me Kosovën. Të gjithë në Kosovë dhe të gjithë në Unionin tonë do të përfitojnë nga një Kosovë më e fortë në një rajon më stabil.

Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim krijon kushtet për nxitje të investimeve dhe për krijimin e vendeve të reja të punës në Kosovë. Ofron më shumë siguri ligjore për bizneset dhe qytetarët, duke ndihmuar në çrrënjosjen e korrupcionit. Krijon kushte për të përmirësuar profesionalizmin dhe efikasitetin e administratës publike, për të ofruar shërbime më të mira për të gjithë.

Kosovarët e shohin të ardhmen e tyre brenda BE-së. Në këtë kohë të vështirë për Unionin tonë, kjo Marrëveshje na rikujton synimin për një projekt afatgjatë të Evropës. Ëndërra për një kontinent vërtetë të bashkuar është e fuqishme – madje edhe më e fuqishme në këto kohëra të vështira.

Është një ëndërr e bërë nga demokracia dhe rendi e ligji. Kosova meriton një Kuvend funksional, zero tolerancë ndaj korrupcionit dhe që secili të trajtohet në mënyrë të barabartë para ligjit. Dhe vetëm të bashkuar ne mund të ndihmojmë njëri tjetrin të ndërtojmë vende më demokratike dhe më të drejtë për të gjithë.

Është një ëndërr që është bërë nga zhvillimi ekonomik dhe nga shërbimet shëndetësore cilësore dhe të përballueshme. Është një ëndërr ku të gjithë studentët mund të regjistrohen në universitete mbi baza të barabarta dhe që njejtë të kenë qasje në standardet e larta mësimore. Kosova i meriton të gjitha këto. Qytetarët e saj meritojnë të udhëtojnë lirshëm nëpër Evropë dhe ne e mirëpresim atë ditë. Tani është me rëndësi të plotësohen edhe ato pak kritere të mbetura. Gjeneratat e reja të Kosovës janë gjeneratat e reja të Evropës.

Por për një të ardhme më të mirë nesër, liderët e Kosovës nevojitet të tregojnë më shumë kujdes për të sotmen. Luftimi i korrupcionit dhe krimit të organizuar, pavarësia e gjyqësorit, llogaridhënia dhe transparenca e administratës publike janë ende sfida të mëdha. Suksesi i Kosovës në këto detyra të vështira do të jetë gjithashtu sukses i yni. Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbështetur këto reforma në çdo hap gjatë këtij rrugëtimi, për një të ardhme të ndritshme dhe prosperuese për të gjithë.

Por ndryshimi nuk do të ndodhë pa një përkushtim serioz nga të gjitha palët. Kosova nuk do ta arrijë këtë nëse betejat dhe përfitimet politike synohet më shumë se sa suksesi i përbashkët. Dhuna nuk çon askund: ajo vetëm i hap plagët e vjetra dhe e çon vendin prapa. Liderët si nga qeveria ashtu edhe nga opozita duhet që në plan të parë ta vendosin Kosovën dhe pritjet e të gjithë qytetarëve të saj.

Të gjitha demokracitë evropiane janë sprovuar me partizanizëm ekstrem dhe stagnim; ta bësh një demokraci konfliktuoze të funksionojë nuk është detyrë e lehtë. Por, kur zgjedhjet e çështjeve thelbësore të një vendi janë në rrezik, atëherë nuk ka alternativë tjeter veçse të angazhohesh në frymën e një respekti të ndërsjellë. Është mënyra e vetme për të dalë nga kriza aktuale, në interes të qytetarëve të Kosovës. Koha është thelbësore këtu. Gjendja e tashme po e mban Kosovën prapa.

Në pak vitet e fundit Kosova ka bërë hapa gjigant përpara. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja me Serbinë do të ishte i pamendueshëm deri para pak kohësh. Një numër çështjesh të ndjeshme janë trajtuar në Kuvend dhe në Qeveri gjatë vitit të kaluar. Ndonjëherë vendimet duken shumë të vështira. Ndonjëherë rezultatet duken shumë të ngadalshme. Por ato janë në interesin më të mirë të Kosovës dhe ato po e bëjnë Kosovën më të fortë, sepse ato ua lejojnë institucioneve të Kosovës sikurse policisë, doganave dhe gjyqësorit që të zbatojnë detyrat e tyre edhe në komunat në veri. Falë dialogut të gjithë banorët e Kosovës janë në gjendje të udhëtojnë për dhe nëpër Serbi. Përmirësime tjera për jetën e qytetarëve po përgatiten, sikurse që është ndarja e një kodi telefonik për Kosovën.

Ne i kuptojmë shumë mirë vështirësitë e shqiptarë të Kosovës dhe serbë të Kosovës ndaj marrëveshjeve që janë arritur në dialog, në mënyrë të veçantë ndaj Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë. “Uniteti në diversitet” është shumë i vështirë të arrihet – sikurse që Unioni ynë e din shumë mirë. Por historia evropiane na tregon sa e fuqishme një shoqëri mund të bëhet kur e kompleton këtë proces të vështirë. Uniteti kërkon lidership dhe vizion, durim dhe vendosmëri, por jep rezultate. Dhe kjo është ajo që vërtetë ka rëndësi për qytetarët e Kosovës.

Kosova dhe BE-ja ndajnë sfida të njejta, nga migrimi deri te terrorizmi. Ne kemi parë shumë të rinj tanë t’i bashkohen grupeve terroriste në Siri dhe Irak. Lufta kundër radikalizmit është diçka që ne vetëm së bashku mund t’i kundërvihemi, asnjë vend nuk është imun, dhe ne kemi shumë për të mësuar nga njëri tjetri. Nuk kemi kohë për të humbur. Si kriza e refugjatëve ashtu edhe kërcënimi nga terrorizmi janë thirrje për ne që të punojmë shumë ngushtë së bashku. Është një përkujtues i fuqishëm i urgjencës së avancimit në rrugën e integrimit evropian.

Sot është një ditë e rëndësishme për Kosovën dhe për Unionin tonë. Një ditë për urime dhe festime por njëkohësisht edhe për planifikim të hapave të ardhshëm. Njëri nga projektet tona të përbashkëta në të ardhmen është arritja e një marrëveshjeje kornizë që do ta lejojë Kosovën dhe qytetarët e saj të marrin pjesë në programet dhe agjencitë e BE-së.

Ka aq shumë që ne mund dhe duhet të bëjmë së bashku. Forca juaj është forca jonë, suksesi juaj është suksesi ynë. Rruga mund të jetë e vështirë dhe e gjatë, por të gjithë e dijmë për ku po na drejton: në një Evropë vërtetë të bashkuar, me Kosovën dhe Ballkanin në thelbin e saj.

SHKARKO APP