Kosova nuk është njohur ende, vetëm nga një shtet fqinj
Kosovën e pavarur 7 vite, nga 17 Shkurti 2008, të njohur deri tani nga 108 shtete anëtare të OKB-së, nga shtetet fqinje vetëm Serbia ende nuk e ka njohur, ndërkohë që në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, në Bruksel janë zhvilluar 24 raunde të dialogut Prishtinë-Beograd në nivel të lartë kryeministror.
Takimin e parë në 19 tetor të vitit 2012 e kanë zhvilluar kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, ndërsa në 19 prill 2013 kanë nënshkruar Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të vlerësuar historike.
Raundi i 24-të, i zhvilluar javën e kaluar, ku Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për drejtësinë, ishte i pari i kryeministrave të rinj, Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç, pas zgjedhjeve gjatë vitit 2014, nga të cilat dolën qeveritë e reja të dy shteteve dialoguese.
Sipas deklarimeve të kryeministrit kosovar Mustafa pak ditë pas takimit me kryeministrin serb Vuçiç, “njohja e pavarësisë së Kosovës edhe nga Serbia do të jetë realitet jo i largët”. “Disa gurë të rëndësishëm të njohjes i vumë kësaj jave në Bruksel”, ka shtuar ai, duke theksuar se, “në drejtësi arritëm t’i aplikojmë ligjet e Republikës së Kosovës në tërë territorin e vendit tonë”.
Ndërsa, disa ditë para takimit në Bruksel, në konferencën për shtyp në Prishtinë, kryeministri Mustafa theksoi se “jemi shumë të interesuar që të bëjmë integrimin e veriut, që të krijojmë ura të bashkëpunimit me të gjitha komunitetet në Kosovë, veçmas me komunitetin serb, të vazhdojmë dialogun në Bruksel për të zgjidhur të gjitha problemet dhe çështjet që i konsiderojmë se janë të diskutueshme dhe të debatueshme me qeverinë serbe për të krijuar një stabilitet në rajon dhe për të ardhur deri te gjendja që Serbia do ta pranojë pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe ne do të punojmë në këtë aspekt”.
Njohja nga Shqipëria është ndër të parat që iu bë Kosovës në orët e para – ditën e parë pas shpalljes së Pavarësisë, kur u njoh edhe nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Afganistani dhe Kostarika.
Dy shtetet e tjera fqinje, Mali i Zi dhe Maqedonia e kanë njohur Kosovën në të njëjtën ditë – në 9 tetor 2008, duke e ngritur numrin e njohjeve në 50.
Nga dy shtetet e tjera që dolën nga shpërbërja e federatës, në të cilën Kosova ishte element konstituiv me të drejtë vetoje, shteti i ri evropian u njoh më herët, nga Sllovenia në 5 mars 2008 dhe nga Kroacia në 19 mars 2008.
Nga elementet konstituive të federatës së shpërbërë, përveç Serbisë vetëm edhe Bosnjë Hercegovina ende nuk e ka njohur Kosovën.
Njohja nga Ishujt Solomon në 13 gusht 2014 është e 108-ta për shtetin e Kosovës.