Kosova nuk ka qasje në pronat e saj në Serbi
Mbi 180 prona të ndërmarrjeve shoqërore, të cilat administrohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, gjenden në territorin e ish – Jugosllavisë. Qasja në këto prona është e vështirë, meqë disa shtete ku gjenden ato nuk e pranojnë autoritetin e AKP-së.
Këtë, për Radion Evropa e Lirë, e pranon Petrit Gashi, drejtori Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Ai thotë se ligji në bazë të te cilit vepron agjencia, obligon që të identifikohen dhe menaxhohen pronat që gjenden jashtë territorit të Kosovës.
“Ne i kemi identifikuar mbi 180 prona që janë asete të ndërmarrjeve shoqërore,shumica e tyre gjenden në territorin e ish-Jugosllavisë. Ne, legjislacioni na obligon që t’i menaxhojmë, t’i administrojmë, sikurse pronat e tjera që gjenden brenda territorit të Kosovës. Mirëpo, se sa ne arrijmë t’i administrojmë këto, varen se sa pranon autoritetin e agjencisë sonë shteti përkatës”, tha Gashi.
Sipas një dokumenti të publikuar në muajin mars nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, vetëm në territorin e Serbisë gjenden 110 prona të ndërmarrjeve shoqërore, në Mal të Zi 36, në Bosnjë dhe Hercegovinë 18, kurse prona të tjera gjenden në Kroaci, në Maqedoni dhe në Slloveni.
Prej tyre, 17 prona i takojnë kombinatit metalurgjik “Trepça”. 11 asete të këtij gjiganti gjenden në Serbi, 3 në Bosnjë Hercegovinë dhe 3 në Kroaci.
Por, menaxhimi i tyre deri më tash ka qenë i pamundur, thotë Gashi, për arsye se Beogradi zyrtar nuk njeh autoritetin e AKP-së.
Në Malin e Zi, ndërkaq, qasja në pronat e Kosovës është më e lehtë, thotë Gashi, duke theksuar se një numër nga to kanë kaluar në procesin e transformimit.
Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike theksojnë se kjo çështje duhet të zgjidhet në mënyrë reciproke.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Ismail Kastrati, për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se në Kosovë ekzistojnë disa prona të shteteve të rajonit dhe sipas tij autoritetet e vendit çështjen e pronave duhet ta zgjidhin në mënyrë reciproke.
“Çfarë do që ka ndodh më pronat e të tjerëve në Kosovë duhet në mënyrë reciproke që të interesohemi për pronat tona që gjenden në Republikat tjera. Duke filluar nga pronat e “Trepçës”,” Eximkos” “Ballkanit” të Suharekës, pronat e “Agro Kosovës“,thotë Kastrati.
Ndryshe, sipas disa të dhënave zyrtare, thuhet se janë rreth 40 ndërmarrje shoqërore të rajonit që kanë asete në territorin e Kosovës.
Por, disa nga to tashmë janë privatizuar apo shitur nga ndërmarrjet e shteteve përkatëse.
Kurse autoritetet serbe në Beograd, disa herë kanë kërkuar zgjidhjen e çështjeve të pronave, madje ato kanë kërkuar që “kjo çështje të negociohet në bisedimet që po zhvillohen në Bruksel në mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtarë”.
Në anën tjetër, autoritetet kompetente në Kosovë, thotë Ismail Kastrati, nuk kanë punuar shumë në zgjidhjen e këtij problemi.
“Unë nuk di që autoritetet përgjegjëse janë marrë me këtë çështje. Me siguri ato kanë mundur të punojnë në ndonjë kanal zyrtar, por unë nuk kam informata që deri më tash është punuar në këtë drejtim”, shprehet Kastrati.
Drejtori i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Petrit Gashi, ndërkaq thotë se gjatë muajve në vijim do të merren më seriozisht me këtë çështje dhe janë duke shikuar alternativat se si të rritet mundësia e qasjes në pronat e Kosovës që gjenden jashtë territorit të saj.
“Jemi duke menduar të krijojmë mekanizma të veçantë brenda AKP-së, që të trajtojmë këto asete, sepse janë prona të Kosovës. Dhe më pas të bashkëpunojmë edhe me instancat e tjera, konkretisht më Ministrinë e Punëve të Jashtme”, ka thënë Gashi.
Çështja e pronave të Kosovës jashtë vendit dhe e vendeve të tjera brenda Kosovës, për ekspertët e çështjeve ekonomike, është thellësisht e komplikuar.
Ata thonë se zgjidhja e çështjeve pronësore mund të nxjerr telashe të mëtejme dhe të varet nga niveli i bashkëpunimit politik ndërmjet vendeve në rajon dhe posaçërisht i marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. (REL)