Kosova pa flamuj në selinë e KE
Komisioni Europian nuk e provon dot simbolikisht ekzistencën e shtetit të pavarur të Kosovës.
Ja si e shpjegon ekzekutivi europian mungesën e flamurit të Kosovës gjatë takimeve zyrtare të Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, me Shefen e Diplomacisë Europiane, Federica Mogherini dhe Komisionerin për Fqinjësinë dhe Negociatata e Zgjerimit, Johannes Hahn.
“Si e shpjegoni mungesën e flamurit të Kosovës gjatë takimve zyrtare të Kryeministrit të Kosovës. Në vend që të shihnim dy flamuj, atë të Kosovës dhe Bashkimit Europian, pamë dy flamuj të BE-së. A e konsideroni ju Kosovën si shtet apo si institucion europian?”, pyeti gazetarja Erisa Zyka zëdhënësen e KE-së.
“Ju jeni në dijeni të situatës. Nuk kam asgjë për të shtuar. Kur vjen fjala te përpjekjet që bëhen në kuadrin e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, ne jemi neutral ndaj statusit të Kosovës, duke përfshirë edhe marrëveshjet që janë vendosur në këtë kuadër. Njohja e pavarësisë është një çështje për shtetet anëtare. Ne mbetemi neutral ndaj statusit”, u shpreh zëdhënësja e Komisionit Europian Maja Koçijançiç.
E pyetur lidhur me marrëveshjen për drejtësinë të arritur të martën në kuadrin e dialogut Prishtinë – Beograd dhe të konsideruar nga disa si diskriminuese, Koçijançiç thotë që u takon Kosovës dhe Serbisë ta bëjnë publike marrëveshjen dhe detajet e saj.
“Ne mendojmë, që marrëveshja për drejtësinë e arritur të martën në mëngjes është nja hap i rëndësishëm, sepse besojmë që do të kontribuojë në përmirësimin e situatës në terren. Është një pikë kthese, veçanërisht kur qëllimi kryesor i marrëveshjes është integrimi i gjykatave dhe prokurorëve të Veriut në sistemin e drejtësisë së Kosoëvs”, tha sot Maja Koçijançiç.
Koçijançiç nuk është i përgjigjur pyetjes nëse Bashkimi Europian mund të mbështesë një marrëveshje nëse ajo vlerësohet si diskriminuese.