Mustafa: LDK shkon në opozitë nëse Vetëvendosja nuk pranon ofertën tonë
Në Kosovë Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, dy paritë që fituan zgjedhjet parlamentare ende nuk kanë arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje.
Ditën e sotme, LDK zhvilloi mbledhjen e kryesisë, pas së cilës, kryetari Isa Mustafa ka bërë të ditur se forca e tij politike është e gatshme të dalë në opozitë nëse Lëvizja Vetëvendosja nuk është dakord me propozimet e partisë së tij.
Mustafa deklaroi se LDK-ja do ta votojë krijimin e institucioneve nga Vetëvendosja por jo të bëhet pjesë e qeverisë së saj.
“Duam që ministritë t’i kemi, 5 për LDK dhe 5 për VV, nga një nënkryetar i kuvendit sipas kushtetutës i takojë secilit nga grupet. LDK propozon kandidatin për President që plotëson të gjitha kushtet dhe ne mbesim pas asaj që pas zgjedhjes së Presidentit, LVV t’i ipet një ministri nga LDK dhe me këtë proporcioni në Qeveri do të mbetej 6:4, nga momenti që zgjedhjet presidenti. LVV do të ketë më shumë pozita sepse tani do të ketë 7 pozita qeveritare, ndërkaq më vonë kur do ta bënim zëvendësimin me President do të mbesim me shtatë kurse ata me 10. Nëse LVV nuk është gati për këtë marrëveshje dhe sheh LDK si pengesë, po deklarojë se LDK është e gatshme të heq dorë nga kërkesat për përgjegjësi, duke ia lënë këto pozita VV”,- tha Mustafa.
Ai shtoi se “LDK është e gatshme që të votojë me 28 deputetë për institucione të reja, kryetarin e kuvendit dhe Qeverinë pa LDK, nëse nuk janë të gatshëm që të bashkëqeverisin me ne. Nëse ne tërhiqemi nga përgjegjësitë qëndrojmë si parti opozitare, sepse parti ndërmjetëse në Kuvend nuk ka”.