Kosova pa viza, ashpërsohet gjuha kundër BE-së

Zyrtarë te lartë të Kosovës po ashpërsojnë gjuhën ndaj Bashkimit Europian pas të dhënave se liberalizimi i vizave me unionin mund të finalizohet në vitin 2020.

Për kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, nëse në dhjetor vendimi nuk do të jetë pozitiv, do të ishte një sinjal racizmi ndaj kosovarëve.

Deklarata e tij është bërë javën e shkuar pas një takimi me shefen e zyrës se BE-së në Kosovë, Natalja Apostolova.

Vetë diplomatja bullgare apeloi zyrtarët e Kosovës të mos japin data për vendimin, pasi sipas saj do të rriste pritshmëritë e qytetarëve.

Madje ajo ka folur dhe për reforma që duhet të përmbushen prej institucioneve të Kosovës. Por zëvendëskryeministri, Enver Hoxhaj, ka shkuar më tej në një reagim dhënë të dielën, ku thekson se Kosova nuk ka pse të besojë më te BE nëse nuk do të ketë liberalizim të vizave.

Por duket se dhe dialogu për korigjimin e kufijve nuk do të ketë efekt pozitiv për këtë proces edhe pse presidenti Hashim Thaçi është shprehur se demarkacioni me Serbinë do të ishte një hap vendimtar.

Tashmë është ambasadorja e Kanadasë në Beograd e cila shprehet kundër kësaj marrëveshje.

“Sa i përket demarkacionit nga perspektiva e dikujt që vjen nga një vend multikulturo, ne nuk mendojmë se gjetja e një kufiri etnik është domosdoshmërisht zgjidhja më e mirë për arritjen e një marrëveshjeje”.

Afati më i afërt për marrjen e një vendimi mbi liberalizimin e vizave për ekspertët ligjorë në Kosovë është data 6 dhe 7 dhjetor.

Sa i përket demarkacionit me Serbinë, dialogu pritet të vazhdojë deri në pranverë.

SHKARKO APP