Kosova për herë të parë do të përfaqësohet me delegacion në Asamblenë Parlamentare të KiE
Në sesionin e radhës të APKiE, që po zhvillohet në Strasburg më 10-14 tetor 2016, u mor vendimi që Kosova për herë të parë të përfaqësohet me delegacion në këtë Asamble.
Në fjalën e saj të drejtuar Asamblesë, znj. Leskaj u shpreh se formatimi i delegacionit u mbështet në Rezolutën 2094 miratuar nga Asambleja në janar 2016. Në paragrafin 13, kjo rezolutë përcakton qartë vendimin e Asamblesë për ngritjen nivelit të dialogut me Kuvendin e Kosovës; i rekomandon Byrosë që të ndryshojë formatin aktual të bashkëpunimit me Kuvendin e Kosovës, duke e ftuar të caktojë një delegacion me përfaqësues nga mazhoranca, opozita, si dhe nga komunitetet minoritare.
“Pa dyshim që përfshirja e një përfaqësuesi të minoritetit në delegacion, është një mundësi shumë e mirë për to. Ndërkohë, ngritja e nivelit të dialogut, formatimi i një delegacioni që do përfaqësojë Kuvendin e Kosovës, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, është një hap shumë i rëndësishëm për forcimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës; me ndikim pozitiv për Kosovën, por edhe për stabilitetin e rajonit”, thaLeskaj.
Më tej, Leskaj u shpreh se vendet duhet të shohin drejt së ardhmes, përmes dialogut, i cili është një nga vlerat dhe misioni i APKiE.
“Nuk duhet të na tërheqë pas e shkuara, e cila nuk sjell asnjë të mirë as për Kosovën, as për Serbinë dhe as për rajonin. Nxitja e dialogut, kërkon që palët të jenë në tavolinë, ndaj ratifikimi i vendimit të Byrosë për zbatimin e Rezolutës 2094 të Asamblesë së KiE është shumë i rëndësishëm. Rajoni ynë po ecën në drejtimin e duhur dhe ky vendim i sotëm për Kosovën është një kontribut tjetër i Këshillit të Evropës për prosperitetin e rajonit”,- përfundoi fjalën e saj Kryetarja e Delegacionit shqiptar në APKiE, Valentina Leskaj.