Kosova përplaset me Serbinë në Këshillin e Sigurimit, Osmani: Nuk merrni asnjë centimetër tokë!

Kosova dhe Serbia shkëmbyen akuza të forta në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku u diskutua raporti për Kosovën i sekretarit të Përgjithshëm, Antonio Guterres.

Kryeministrja serbe Ana Bërnabic mohoi që Beogradi të ketë pasur gisht në ngjarjet e Banjskës dhe sulmin e 24 shtatorit e cilësoi si pasojë e veprimeve të vetë Prishtinës zyrtare.

“Strukturat serbe të sigurisë nuk kanë të bëjnë aspak me grupin e sulmuesve në fshatin Banjskë. Ngjarjet atje janë janë pasojë logjike e frikës dhe terrorit që ka ushtruar Prishtina pavarësisht thirrjeve për shtensionim”– Ana Bernabiç, kryeministre e Serbisë.

Por presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u tregua e prerë dhe e drejtpërdrejtë, duke deklaruar se Serbia dëshiron territor të Kosovës “por, nuk do ta marrë kurrë”.

“Ne duam paqe ndërsa Serbia e dëshmoi se kërkon luftë. Por, ne nuk do ta lejojmë të ndodhë kjo. Në 24 shtator, plani ishte destabilizimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm i Kosovës. Burimi kryesor i financimit, armatosjes dhe trajnimit të grupit të armatosur në Banjskë është Republika e Serbisë. Ajo që dëgjuam këtu nga Serbia ishte një përpjekje për minimizimin e aktit të agresionit ndaj Kosovës”– u shpreh Osmani.

Presidentja e Kosovës iu drejtua po ashtu me një mesazh serbëve që jetojnë në Kosovë, duke u thënë se Kosova është shtëpia e tyre.

“Konfirmoj se jemi të përkushtuar që të bëjmë më shumë për serbët në Kosovë. Por, ne nuk do t’i japim Serbisë instrumente përmes së cilave ata mund të shkatërrojnë jetën e serbëve që jetojnë në Kosovë dhe të vazhdojnë të tentojnë të shkatërrojnë sovranitetin dhe integritetin tonë territorial”– tha Osmani.

SHKARKO APP