Kosova refuzon vaksinën kineze të Ramës. Qeveria “Kurti”: Nuk është miratuar nga BE
Qeveria e Kosovës nuk mund të pranojë nga Shqipëria vaksinat kineze për vaksinimin e mjekëve dhe mësuesve kundër koronavirusit.
Ministri i Shëndetësisë së qeverisë së Kosovës, Arben Vitia deklaroi dje se Kosova nuk mund të përdorë vaksina që nuk janë certifikuar nga agjencia e barnave të Bashkimi Europian. Vitia tha se procesi i vaksinimit të mësuesve kosovarë në Shqipëri është shtyrë, pasi nuk ka më sasi të vaksinave “AstraZeneca” dhe ”Pfizer” në Shqipëri.
“Dozat e vaksinave “AstraZeneca” dhe ”Pfizer” janë harxhuar, siç më ka njoftuar ministrja Manastirliu. Në Shqipëri po vazhdon vaksinimi me “Sinovax“, e cila është prodhuar nga Kina dhe për arsye se në Kosovë na ndalojnë ligjet që të importojmë produkte që nuk janë të regjistruar në EMA (Rregullatori Evropian i Barnave), ne nuk e kemi parë të arsyeshme që mësimdhënësit të vaksinohen. Kjo është arsyeja pse është shtyrë procesi. Manastirliu më ka thënë se sapo të vijnë doza të tjera të dy llojeve të vaksinës, atëherë do ta ndihmojnë Kosovën”, ka thënë Vitia.
Vitia ka thënë se ka pasur kontakte të vazhdueshme me homologen e tij, Orgeta Manastirliu, e cila i ka premtuar që sapo të vijnë doza të tjera të këtyre dy llojeve të vaksinave, atëherë një sasi e caktuar do t’i ruhet Kosovës për vaksinimin e mësimdhënësve.
Vaksina kineze që po përdoret në Shqipëri nuk është e certifikuar nga institucionet që verifikojnë cilësinë e barnave në SHBA dhe në BE.