Kosova s’do vendosë taksë për autostradën, pjesë e Rrugës së Kombit
Ministri kosovar i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, gjatë një interviste tha se as gjatë vitit 2017, qeveria e Kosovës nuk është duke planifikuar vendosjen e ndonjë takse për shfrytëzimin e autostradës “Ibrahim Rugova”, nga fshati Gjurgjicë e deri në pikën kufitare në Morinë.
“Së paku deri në fund të vitit 2017 nuk po planifikohet të vendoset ndonjë taksë për shfrytëzimin e autostradës. Ta them të drejtën aktualisht nga Gjurgjica e deri në Morinë janë 60 kilometra autostradë, dhe, edhe sikur tani të shpallim një tender, unë besoj se nuk do të kemi ndonjë ofertë serioze. Kështu që po presim edhe pak”, ka thënë ministri Zharku.
Ai më tej thotë se gjatë vitit që vjen qeveria e Kosovës do të fillojë përgatitjet për koncesionimin e autostradës, pasi sipas tij, gjatë vitit 2018 do të përfundojë edhe ndërtimi i autostradës “Arben Xhaferi”, autostradë kjo që lidh Kosovën me Maqedoninë.
“Kur të kryhet edhe autostrada e dytë atëherë po besoj se do të kemi më shumë interesim”, ka thënë më tej ministri Zharku. Ai thotë se Qeveria e Kosovës po ashtu është duke pritur edhe përfundimin e procesit për koncesionimin e autostradës në territorin e Shqipërisë. “Po presim ta shohim se si po funksionon në atë anë, pasi që deri tani, atyre, procesi për këtë qëllim, iu ka dështuar dy herë”, shtoi ministri Zharku.
Sipas tij, gjatë këtij viti qeveria e Kosovës po planifikon të përmbyllë procesin e vendosjes së 8 pikave të shitjes së derivateve në të dyja anët e autostradës. Sipas tij, katër pika do të jenë në njërën anë dhe katër të tjera në anën tjetër.
Ai shpreson se vendosja e pikave të derivateve në autostradë do t’i ndalë edhe vjedhjet e shumta në autostradë që janë duke ndodhur në vazhdimësi.
“Po besoj se sivjet do të vendosen pikat e karburanteve në autostradë. Janë parashikuar gjithsej 8. Aktualisht jemi në shqyrtim të dosjes së tenderit. Unë mendoj se aty duhet të vendoset ai që paguan më së shumti për shtetin”, ka thënë Zharku.